Siguria ushqimore, AKU gjobë 300 mijë lekë subjektit për tregtim produkti me ngarkesë pesticide

TIRANË, 30 prill/ATSH/ Garantimi i sigurisë ushqimore dhe hedhja në treg e produkteve të sigurta për konsum human është fokusi i veprimtarisë së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, i cili vazhdon kontrollet dhe monitorimet rigoroze të produkteve ushqimore.

Referuar planit të monitorimit të mbetjeve pesticide në fruta-perime, AKU informon se ka marrë 289 mostra produkte serrash (spec, domate, kastravec, sallatë jeshile, spinaq, patate etj.), për kryerjen e analizave laboratorike në ISUV. Mostrat, sipas AKU-së, janë marrë në dalje të fermës, në pika grumbullimi fruta-perime dhe në tregjet e shumicës.

“Bazuar në përgjigjet e analizave të kryera, vetëm 1 mostër “spec i kuq” ka rezultuar jokonform, me ngarkesë pesticide”, thuhet në njoftimin e AKU-së.

Sipas AKU-së, drejtoria rajonale e AKU, Berat ka marrë masën administrative gjobë me vlerë 300 mijë lekë për hedhjen në treg të produkteve të pasigurta për konsum ndaj subjektit me iniciale B. B./ I01214002K si dhe do të vijojë mbajtja nën mbikëqyrje e këtij subjekti në vazhdim.

“Përgjigjet e analizave të kryera në laboratorë të akredituar, tregojnë edhe njëherë sigurinë dhe cilësinë e produkteve të cilat ne konsumojmë, duke na bërë besimplotë që rruga e nisur, kontrollet dhe bashkëpunimi do të na çojë drejt përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë dhe përafrimit me standardet më të mira europiane”, sqaron AKU.

AKU thotë do të vijojë monitorimet, por edhe këshillimin e subjekteve për ndjekjen e praktikave më të mira të prodhimit duke rritur kështu cilësinë e produkteve ashtu si edhe promovimin e mëtejshëm të tyre.

/a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.