Shtesa e kontratës koncesionare të Porto Romanos/ Balla: Porti i Durrësit në të ardhmen vetëm për udhëtarët dhe turistët

TIRANË, 30 prill/ATSH-Maela Marini/ “Shtesa e kontratës koncesionare në Porto Romano është një domosdoshmëri për ta çliruar në të ardhmen Portin e Durrësit nga ndotjet që bëjnë operatorë të ndryshëm”, deklaroi sot në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

“Kuvendi sot po shqyrton një shtesë në një kontratë të një koncesioni që ka rreth 6 vite që është miratuar nga qeveria shqiptare dhe Kuvendi i Shqipërisë. Në atë kohë që është miratuar ka qenë në këtë sallë edhe opozita e vjetër dhe është votuar me konsensus nga i gjithë Kuvendi i Shqipërisë”, tha Balla.

Balla u shpreh se “ne duhet të japim shembullin dhe të mbështesim kur një investim privat ecën mirë dhe paguan taksat dhe ka nevojë të bëjë një ndryshim kontrate”. “Kjo historia e diskutimeve patetike, gjoja në interes të njerëzve, është thjesht për të kapur lajmin e ditës dhe nuk i bën nder askujt”, tha Balla.

Ai tha se “shtesa e kontratës koncesionare në Porto Romano është domosdoshmëri për të vijuar një investim të rëndësishëm dhe për ta çliruar në të ardhmen Portin e Durrësit nga ndotjet që mund të bëjnë operatorët e ndryshëm”.

“Porti i Durrësit duhet të jetë në të ardhmen në port turistik dhe port udhëtarësh. Historia që në qendër të Durrësit shkarkohen kontejnerët me qymyr, krom e plehra nuk duhet të vazhdojë më. Për fat të mirë që kur kemi ardhur ne nga 2013 ka përfunduar historia e mbetjeve dhe e plehrave, por pa dyshim që në qendër të Durrësit nuk mund të ketë më shkarkim mbetjesh dhe lëndësh të tjera”, tha Balla.

Ai vlerësoi se “porti i ri i Porto Romanos e ka lehtësuar dhe ka krijuar mundësinë e uljes së ndjeshme të ndotjes nga anijet e transportit të naftës apo nënprodukteve të tjera”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.