Ndihma financiare nga paketa e parë, rihapen sot aplikimet deri në 5 maj

TIRANË, 30 prill /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi të gjithë tatimpaguesit dhe individët e interesuar të cilët nuk kanë mundur të aplikojnë për përfitimin e ndihmës financiare sipas paketës së parë “VKM Nr.254 datë 27.03.2020”, që aplikimet do të rihapen.nga dita e sotme dhe do të vazhdojnë të jenë aktive deri në datë 05.05.2020.

Tatimpaguesit të cilët janë identifikuar nga Administrata Tatimore si përfitues të Paketës Nr. 1, do të njoftohen nëpërmjet llogarisë së tyre të deklarimit elektronik në e-filing për mundësinë e aplikimit nëpërmjet kësaj llogarie për të dorëzuar formularin “Kërkesë për përfitim të ndihmës financiare 1”.

Subjektet që do të plotësojnë kërkesën sipas Formularit, duhet të sigurohen që të plotësojnë të dhënat e sakta të individëve përfitues, ku numri personal i identifikimit ID dhe IBAN i llogarisë bankare janë të dhëna shumë e rëndësishme.

Administrata tatimore shprehet e angazhuar maksimalisht për të vijuar zbatimin rigoroz të këtij procesi, në përpjekjen e përbashkët për menaxhimin sa më mirë të situatës së emergjencës të krijuar nga COVID-19. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.