Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor videokonferencë me komisionerin Várhelyi/ Cakaj: Shqipëria, e përkushtuar në zbatimin e prioriteteve

TIRANË, 30 prill/ATSH/ Shqipëria është e përkushtuar në zbatimin e prioriteteve kyçe në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi sot një video-konferencë me ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerin për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Olivér Várhelyi.

“Në këtë takim digjital shprehëm mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të Bashkimit Evropian në luftën kundër COVID-19 dhe nënvizuam rëndësinë e përqendrimit të mëtejmë të të gjitha përpjekjeve në përballimin e kësaj sfide” sqaroi Cakaj lidhur me videokonferencën.

Po ashtu, Cakaj theksoi se në videokonferencë, pavarësisht rrethanave të pazakonta, u shpalos puna e Shqipërisë në rrugën europiane dhe u theksua përkushtimi për të vepruar në përputhje me të gjitha prioritetet, siç janë paraqitur në përfundimet e fundit të Këshillit.

“Kjo është thelbësore për të përparuar edhe me tutje në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”, përfundoi Cakaj.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.