Mbyllja e vitit akademik me 4 elementë/ Shahini: Rikthimi në auditor gjatë qershorit për vitet e fundit, diplomat në korrik-gusht


TIRANË, 30 prill/ ATSH- A. Fortuzi/- Ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një komunikim live tha sot se studentët do të rikthehen në universitete por do të ketë një ndarje mes të diplomuarve dhe atyre të vitit të fundit dhe atyre të vitit të parë dhe të ndërmjetëm.

“Universitetet kanë autonomi akademike dhe riorganizmi i punës në kushtet e pandemisë ishte një detyrë që u takonte universiteteve. Të gjithë u janë përgjigjur kësaj sfide të re duke e kaluar një pjesë të mësimit online. Por, jo të gjithë i janë përgjigjur kësaj sfide në të njëjtën mënyrë, duke patur parasysh infrastrukturën apo problematika të tjera. Edhe për lëndën që kanë kaluar të gjitha online, prej mesazheve të juaja, kam kuptuar se jo gjithnjë kanë pasur të njëjtin standard pune si në auditor”,- tha Shahini.

“Prej nga sa më lart vërehet një nevojë për të kaluar kohë në auditor para provimeve, për studentët që kanë nevojë të bëjnë përsëritjen para provimeve, apo të tjerët që kanë nevojë të bëjnë punë laboratorike, apo studentët e artit që kanë nevojë të zhvillojnë punën e tyre në ambientet e universitetit. Si mund të realizohet kjo në kushtet e pandemisë? Zv ministri Rrumbullaku ka pasur një komunikim të rregullt me rektorët dhe dekanët e universiteteve publike e private për të ndjekur eurinë e punës online. Rektorët kanë sjellë dhe propozimet e tyre për mbylljen e vitit akademik, që siguron barazi në qasjen në arsim, siguron mbështetje shtesë për studentët që s’kanë patur kushte për pjesëmarrje në arsim online dhe siguron ruajtjen e shëndetit të studentëve. Bazuar mbi këto propozime, Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë ka nxjerr një urdhër për mbylljen e vitit akademik me katër pika”,- tha Shahini.

“Elementi i parë kërkon të prioritizohet puna me studentët që diplomohen në të gjitha ciklet, ku duhet të realizohet kthimi në auditor gjatë qershorit për një periudhë 3-4 javore. Provimet në muajin korrik dhe javën e parë të gushtit”,- shtoi ajo.

“Elementi i dytë i përket studentëve të tjerë, të viteve të para dhe ndërmjetme, që kthehen në auditor më 25 gusht, deri në fund të shtatorit, në varësi të nevojave që kanë për punë laboratorike apo të tjera. Provimet dhe riprovimet për këta studentë zhvillohen në tetor të vitit 2020. Grupimi i tillë i studentëve është i domosdoshëm për të minimzuar numrin e studentëve në auditore klasa,  apo laboratore dhe të sigurohen kushtet për higjenizmin dhe pastrimin që është i domosdoshëm për kohën që po kalojnë, si dhe distancimin social. Rregullorja për sjelljen e studentëve në universitet për higjenizimin, dezinfektimin e ambienteve, për distancimin, duhet të zbatohet me përpikmëri në rast të hapjes graduale të universiteteve. Studentët e viteve të para mund të planifikojnë të mos jenë në auditor deri në fund të gushtit. Mund të planifikoni çështjen e banimit. Rimbursimin e banesave për konviktet i drejtoni te stafi i konviktit, sepse ata ju vijnë në ndihmë për këto pyetje, të gjithë kanë marrë vendim për rimbursim, por do jetë stafi konviktit që do ju njoftoj për procedurën”,- tha Shahini.

“Mësimi online do vijojë deri në fund të programit mësimor deri në fund. Të gjithë studentëve të universiteteve publike u kemi dërguar një sondazh mbi eksperiencën e tyre gjatë punës online.  Përfundimi i vitit akademik jo më shumë se dy javë do të zgjatet dhe nis në nëntor 2020”,- vijoi ajo.

“Sa i takon univeristeteve private, janë hapa para dhe kanë fleksibilitet për orarin për të ndjekur oraret e provimeve. Edhe në këto universitet duhen ndjekur rregullat për higjenizimin dhe distancimit dhe mund të fillojnë punën. Pas datës 15 maj universitetet duhet të dorëzojnë planet e tyre për kthimin e studentëve në punët laboratorike, për organzimin e provimeve, dhe higjenizmin. Numrin e saktë të studentëve, fashat e frekuentimit dhe metrat katror për sigurimin e distancimit social”,- nënvizoi Shahini. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.