Kosovë/ 5 persona të infektuar në veri me COVID-19

PRISHTINE, 30 prill /ATSH/ -Në veri të Kosovës  gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar pozitiv edhe pesë persona nga COVID-19, ndërsa janë shëruar katër persona.

Këtë e bëri të ditur epidemiologu Aleksandar Antonijeviq, gjatë konferencës për media të shtabit të krizës që u mbajt sot në veri të Mitrovicës.

Ai tha se tre personat e infektuar janë nga komuna e veriut të Mitrovicës, ndërsa dy të infektuarit e tjerë janë nga komuna e Leposaviqit dhe Zveçanit.

Sipas tij, në veri të Kosovës deri tani janë konfirmuar me COVID-19  gjithsej 102 persona, janë shëruar 56, ndërsa kanë vdekur 8 persona.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar pesë persona të infektuar, nga të cilët tre nga Mitrovica, dhe nga një person nga Zveçani dhe Leposaviqi. Katër persona janë shëruar, derisa tek njëri pas ritestimit sërish është konfirmuar rezultati pozitiv. Deri dje janë testuar gjithsej 995 persona, nga të cilët kemi 102 të infektuar, 56 të shëruar dhe fatkeqësisht 8 persona kanë vdekur”, tha Antonijeviq.

Ai apeloi tek qytetarët që në mënyrë rigororze t’i përmbahen masave të rekomanduara, sidomos në prag të festave të majit, të mos dalin nga shtëpitë e tyre pa nevojë, të mbajnë distancën, si dhe të bartin paisjet mbrojtëse. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.