JAPONI – Prodhimi industrial pëson rënie

TOKIO, 30 prill /ATSH-DPA/ – Prodhimi industrial i Japonisë pësoi rënie për të dytin muaj radhazi, përballë pasojave ekonomike nga kriza e koronavirusit, sipas një raporti qeveritar.

Prodhimi industrial ra me 3,7% nga një muaj më parë, krahasuar me parashikimin mesatar të një rënieje me 5,2% nga analistët e gazetës “Nikkei Business Daily”, pasi në shkurt ra me 0,3%.

Prodhuesit presin që prodhimi industrial të rritet me 1,4% në prill dhe të ulet po me 1,4% në maj, sipas një studimi të kryer nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë.

“Në mars, indeksi i dërgesave industriale ra me 5% krahasuar me muajin e kaluar, ndërsa ai i inventarëve industrialë u rrit me 1,9%”, njoftoi ministria.

Qeveria japoneze shpalli gjendjen e jashtëzakonshme mbarëkombëtare në mes të prillit, duke i kërkuar publikut të mos dalë nga shtëpia pa qenë urgjente, pasi koronavirusi vazhdon të përhapet në të gjithë vendin. / /sara/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.