Hapje e pjesshme e shkollave/ Shahini: Përpjekje intensive për të mbyllur në kohë vitin shkollor dhe akademik

TIRANË, 30 prill/ ATSH- A. Fortuzi/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, ka bërë të ditur se po bëhet një përpjekje galopante për të mbyllur në kohë vitin shkollor dhe atë akademik.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Shahini ka nënvizuar se COVID-19 ka goditur arsimin si asnjëherë më parë, duke detyruar 600 000 nxnënës dhe studentë të mbyllen në shtëpi.

“Mbi 600 000 nxënës dhe studentë u detyruan të mbyllen në shtëpi për të parandaluar përhapjen e Covid. Mbi 50 000 staf shkollor e akademik u detyruan të gjejnë metoda kreative për të mbajtur sistemin e arsimit në kushte të pazakonta. Arritëm që vetëm brenda dy ditëve, me datën 11 mars të kalojmë nga auditoret dhe klasat në punë nga shtëpia. Nga dërrasa e zezë në punë nga kompjuterat dhe telefonat smart”, – tha Shahini.

“Duke patur parasysh se pjesa më  e madhe e familjeve shqiptare kanë televizor në shtëpi dhe duke u bazuar dhe në modelet e vendeve të tjera, kemi vendosur që pjesën më të madhe të punës me nxënësit nga klasa e parë në klasën e 12-të, ta zhvillojmë duke transmetuar në RTSH leksione të regjistruara nga mësuesit për të gjithë arsimin parauniversitar. Janë xhiruar mbi 20 000 minuta leksione dhe janë transmetuar mbi 10 000 minuta. Kjo procedurë do të vijojë deri në fund të majit”, – tha Shahini.

“Përtej kësaj, 97% e nxënësve janë përfshirë në komunikim online përmes platformave, “Google Class Room”, por edhe rrjetet sociale “WhatsApp”. Mësuesit kanë prodhuar video amatore, rreth 1.2 milionë minuta selfie video. Nxënësit që nuk kanë pasur pajisje digjitale, rreth 10 000 të tillë, po furnizohen me smart phone apo tableta nga bashkëpunimi me Vodafone.  Brenda marsit kemi organizuar shërbimin psikosocial online, për të gjithë nxënësit që kanë pasur nevojë, 1 500 nxënës e kanë përdorur këtë shërbim. Falenderoj prindërit, nxënësit, mësuesit që me të gjitha përpjekjet kanë arritur ta çojnë përpara këtë sfidë të re”,- theksoi Shahini.

“Këtë javë pas vlerësimit të javës nga taskforca për Covid-19, duke pasur eksperiencën e vendeve të tjera, duke patur parasysh dhe komunikimin me pedagog e studentë kemi hartuar planin për të mbyllur në mënyrë të drejtë vitin e akademik. Duke patur parasysh numrin e lartë të studentëve e kemi të pamundur hapjen e fakultetit për të gjithë studentët, prandaj kemi planifikuar për hapje graduale dhe vetëm të pjesshme për shkollat e mesme dhe fakultetet. Mësimi shkollor për parauniversitarët mbyllet në qershor 2020, kjo është e rëndësishme për nxënësit që duan të studiojnë jashtë vendit, që t’i marrin diplomat në kohë”, – vijoi ajo.

“Provimet e maturës shtetërore do të realizohen mes datave 8 dhe 18 qershor. Shkollat hapen për nxënësit e klasave të 12-ta për një periudhë trijavore, që provimi i maturës të jetë sa më i drejtë për maturantët që duan të bëjnë përsëritje në kushte shkolle. Shkollat hapen nga data 18 maji deri në 5 qershor duke i shpërndarë nxënësit në të gjitha klasat e shkollave dhe duke përdorur dhe shkollat 9-vjeçare me qëllim që në çdo klasë të jenë maksimumi nga 10-12  apo15 nxënës në klasë, në varësi të hapësirës. Rregullorja, rregullat e tjera të higjienës dhe shëndetin e nxënësve do të duhet të zbatohen me përpikëri. Mësimi nga shtëpia do mbyllet në fund të majit që të gjithë mësuesit të kenë kohë të bëjnë vlerësimin e notave”, – tha Shahini. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.