Durrës, në Terminalin Perëndimor të portit u përpunuan 63% më shumë mallra se në 2019

TIRANË, 30 prill/ATSH/ Që nga fillimi i muajit prill në Terminalin Perëndimor të portit janë përpunuar 24 anije, ndërsa vijojnë përpunimin edhe tre anije të tjera me mallra.

Përpunimi i anijeve në kushtet e pandemisë së Covid-19 është kryer në masa të rrepta sigurie shëndetësore, të mbikëqyrura nga Autoriteti Portual në bashkëpunim me kompanitë stivadore.

Nga të dhënat e sektorit të statistikave, në këto katër javë në kalatat e këtij Terminali, që administrohet nga Autoriteti Portual, janë përpunuar 63% mallra më shumë, se sa në të gjithë muajin prill 2019.

Sasia e mallrave të përpunuara në periudhën 1 – 27 prill arrin në rreth 82 mijë tonë, ndërsa gjatë muajit prill 2019 u përpunuan 50 mijë tonë gjithsej.

Sipas sektorit të statistikave mësohet se në Terminalin Perëndimor gjatë këtij muaji janë përpunuar mallra të ndryshme si grurë, melaminë, çimento, hekur, plehra bujqësore, mallra ushqimore, etj./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.