COVID-19/ Ahmetaj: Janë vënë në dispozicion 90.7 miliardë lekë, ose 5.41 % e PBB

TIRANË, 30 prill/ATSH-Gjergji Mima/ Për të adresuar krizën e shkaktuar nga pandemia e COVID-19 janë vënë në dispozicion 90.7 miliardë lekë dhe është fiks 5.41% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, tha sot në Kuvend ministri përgjegjës edhe për zbatimin e planit ekonomik antikoronavirus, Arben Ahmetaj.

Duke e cilësuar si të padenjë debatin për pensionet, Ahmetaj tha se, “ne jo vetëm që s’kemi ndërmend të prekim pensionet e askujt, por ne sapo i rritëm me 21 milionë dollarë dhe do vazhdojmë t’i rrisim në bazë të formulës dhe reformës që kemi punuar me partnerët financiarë ndërkombëtarë”.

“Pastaj debati ka pensionet suplementare. E dini se çfarë janë pensionet suplementare? Janë pensione që shumë deputetë, ish-deputetë, ish, ish, ish, marrin 4-fishin e qytetarit pensionist të zakonshëm dhe debati për pensionet duhet të fokusohet tek ndihma që japim sot”, u shpreh Ahmetaj.

“Pavarësisht debatit për numrin e familjeve të ndihmuara, ky është debat që verifikohet kollaj në terren mjafton që të ruash distancën sanitare të shkosh në terren, të flasësh me Ministrinë e Mbrojtjes, të flasësh me Prefektët, të flasësh me kryetarët e bashkive. Të shkosh tek qytetarët. Madje, madje keni dhe skena në Fier sesi komuniteti rom, që ka përfituar dhe nga paketa 1 edhe nga paketa 2 është shërbyer me ndihma ushqimore dhe me ilaçe dhe e gjithë Shqipëria e ka parë live pavarësisht të gjithë deformimeve”, theksoi Ahmetaj.

Sa i përket paketave, Ahmetaj tha se, “duhet të jemi të vërtetë me qytetarët. E para, kemi 2.5 miliardë lekë për Ministrinë e Shëndetësisë, shtesë për të përballuar gjithë situatën dhe e ka përballuar me sukses që është alfa e gjithë procesit dhe e gjithë krizës”.

Ahmetaj shtoi se, “e dyta, kemi paketën e parë ku janë shërbyer bizneset e mbyllura me urdhër të qeverisë, familje në nevojë dhe të papunë që marrin pagesë papunësie. 6.5 miliardë lekë. Shënojini ju lutem se do t’i verifikojmë”.

“Kemi gjithë mbështetjen për të papunët dhe bizneset që janë prekur më shumë nga situata,  7 miliardë lekë. Po i shkrij të dyja paketat në një”, theksoi Ahmetaj.

“Kemi rritjen e shpenzimeve për emergjencat civile, për atë që ju shikoni në televizor, që Ministria e Mbrojtjes i shërben nëpërmjet strukturës kapilare qytetarëve, 2 miliardë lekë”, tha Ahmetaj.

“Kemi 0 tatimfitimi për kompanitë, për biznesin e vogël 360 milionë lekë”, tha Ahmetaj.

“Kemi garancinë sovrane prej 11 miliardë lekë. Vetëm Raiffeisen ka kërkesa sot nga 16 milionë euro që ka në paketë, 9 milionë euro. Verifikojeni me bankat. Raiffeisen Bank, marr përgjegjësi ta ndaj me ju si e dhënë zyrtare”, theksoi Ahmetaj.

Pra, shtoi Ahmetaj, 11 miliardë, interesi zero, 313 milionë lekë, është garancia prej 15 miliardë lekë, e dyfishuar me sektorin bankar shkon 30 miliardë lekë”, tha Ahmetaj.

“Vazhdojmë me heqjen e gjithë pagesave të energjisë, pra gjithë interesat e kamatëvonesave 15 miliardë. Është fondi rezervë i qeverisë vetëm për këtë punë 1 miliard. Shtyrje të taksave 15 miliardë. Është 90.7 miliardë lekë dhe është fiks 5.41% e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, nënvizoi Ahmetaj.

Ahmetaj shtoi se, “Sot janë paguar 59 mijë qytetarë nga paketa e parë dhe 74 mijë nga paketa e dytë. Sfidojeni dhe këtë numër me emra dhe po të doni me llogari bankare”.

Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, Ahmetaj tha se, “jam i bindur që do t‘i votoni aktet normative sepse në finale mbështesin qytetarët dhe sipërmarrjen. Dhe të gjitha vendet e rajonit të njëjtën formulë kanë përdorur. Nuk e kanë kapur 5.41%. Jemi vendi i dytë në rajon”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.