Kurti: Kemi vërtetuar gatishmërinë si Qeveri për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës 

PRISHTINE, 29 prill /ATSH/ -Kryeministri në detyrë Albin Kurti është deklaruar në lidhje me ndihmat e shtetit të Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Ai tha se ndihma financiare prej 500 mijë euro për komunat me shumicë shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit  vërteton gatishmërinë dhe interesimin që Qeveria e Kosovës ka ndaj popullatës shqiptare që jeton në këto komuna.

“Më e rëndësishme për ne në këto momente është që të solidarizohemi me qytetarët, në mënyrë që ata të marrin trajtimin bazik të mjaftueshëm për të mbrojtur shëndetin e tyre. Jemi të vetëdijshëm që situata me COVID-19 ka rritur jashtëzakonisht nevojat sa i përket pajisjeve mjekësore dhe që buxheti i cili fillimisht është ndarë për pjesën e shëndetësisë është i ultë për shumë institucione. Me këtë ndihmë financiare ne kemi arritur t’i ndihmojmë sadopak këto komuna që të mund të ballafaqohen me vështirësitë që i ka sjellë koronavirusi në shumë aspekte”,  tha Kurti.

Qeveria e Kosovës ka ndarë nga 200 mijë euro për Preshevën dhe Bujanocin, dhe 100 mijë euro për Medvegjën, pagesa këto të realizuara më 27 prill nga llogaria e Thesarit në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, përmes bankës korrespondente “Deutsche Bank AG”, në llogaritë e këtyre tri komunave në Bankën Qendrore të Serbisë./KosovaPress//e.m/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.