Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore mblidhet online në 6 maj

TIRANË, 29 prill /ATSH – I. Vata/ Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore mblidhet online në 6 maj, kjo dhe për shkak të masave të marra për situatën e shkaktuar nga koronavirusi.

Gjate kësaj mbledhjeje, mësohet se dy bashkëkryetarët, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari do të informojnë deputetët anëtare të këtij komisioni për ecurinë e deritanishme të procesit të reformës, nga momenti i krijimit të Këshillit Politik me pjesëmarrjen e opozitës jashtë parlamentare dhe deri në fillim te muajit Mars kur puna u ndërpre për shkak të pandemisë së COVID-19.

Bashkëkryetarja e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari tha një ditë më parë se kur të kemi takimin e parë, ndoshta do të ketë dhe një raportim për Reformën Zgjedhore, hapat që janë marrë deri më tani.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Bala tha se ndryshimet në Kodin Zgjedhor do bëhen brenda 30 qershorit, që me 1 korrik të fillojë implementimi i tyre. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.