Fermerët nuk janë ndaluar kurrë të punojnë

TIRANË, 29 prill/ATSH/ Pavarësisht periudhës së vështirë të krijuar prej koronavirusit, fermerët nuk janë ndaluar asnjëherë që të vijojnë me punën e tyre.

Kështu u shpreh Kryeministri Rama në përgjigje të pyetjeve tët qytetarëve ku ndër të tjera tha se fermerët kanë vijuar më prodhimin, eksportin e mallrave edhe në këto kushte.

Sipas tij, nuk ka pasur asnjë vendim që të ndalonte zhvillimin e aktivitetit të tyre.

“E para, fermerët nuk i kemi lënë në mëshirë të fatit. E dyta, fermerët nuk janë ndaluar kurrë të punojnë, asnjëherë. Nuk e di rastin konkret të prindërve tuaj, por fermerët që jetojnë në fshat nuk janë ndaluar kurrë të punojnë, kanë vazhduar të shesin, të prodhojnë, grumbullojnë, eksportojnë me vështirësitë që ka sjellë kjo kohë por nuk kanë pasur asnjë pengesë. Asnjë. Edhe makinat e tyre për produktet e tyre, asnjëherë nuk janë ndaluar. Asnjë ditë që të jemi shumë të qartë. Rastin konkret nuk e di por kur shkruani një rast konkret dhe merreni me të gjithë popullin, me të gjithë fermerët dhe me të gjithë globin dhe nuk thoni konkretisht rastin, kam këtë hall e figuroj këtu, nëse janë fermerë të regjistruar apo të paregjistruar edhe kjo bën diferencë. Jo do thuash ti, po them unë, sepse e kemi thënë me qindra herë, informaliteti është një skandal, por edhe një situatë që të sjell në këto kushte kur për shkak të informalitetit e ke të pamundur të figurosh dhe të marrësh atë që do të takonte, nëse do të ishe i formalizuar dhe do të figuroje”.

z.tosku/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.