“Virusi nuk më ndalon të ndihmoj familjet në vështirësi”, shembulli i vullnetares në Urën Vajgurore që shpërndan ndihma çdo ditë

TIRANË, 28 prill/ATSH/ Mjekët, infermierët dhe i gjithë personeli mjekësor janë në vijën e parë të luftës së egër ndaj COVID-19 ndërsa çdo ditë e më shumë të rinjtë po angazhohen  duke kontribuar vullnetarisht në shpërndarjen e ndihmave tek familjet në vështirësi ekonomike.

Një shembull i tillë është edhe Kamela Mule, studente e vitit të tretë në degën Anglisht në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, e cila i është përgjigjur thirrjes për t’iu bashkuar grupit të vullnetarëve në bashkinë e Urës Vajgurore.

Menjëherë pas vendimit të qeverisë për të mbyllur shkollat dhe auditorët e fakulteteve, ajo u kthye në vendlindjen e saj, për të qëndruar atje disa ditë, në pamundësi për të parashikuar vijimësinë e situatës, ku shkollat nuk do të hapeshin më deri në një vendim të dytë.

Ajo zgjodhi që krahas ndjekjes së mësimit online, një pjesë të kohës së saj t’ia kushtonte edhe qytetit. Ajo u bë pjesë e grupit vullnetar të shpërndarjes së ndihmave për familjet në nevojë. Ndonëse të gjithë e ndjejnë rrezikun dhe frikën e virusit, edhe për Kamelën vlen e njëjta gjë, por kjo e fundit  jo më shumë sesa kontributi për t’i dhënë një dorë atyre familjeve që kanë nevojë në këtë situatë të vështirë.

“Vendosi t’i bashkohem thirrjes për të kontribuar vullnetarisht në shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë sepse në situata të tilla, kaq shumë të vështira, në të rinjtë duhet të jemi të parët që të tregohemi solidarë me njëri-tjetrin, veçanërisht për pensionistët e vetmuar, familjet që kanë vështirësi ekonomike por edhe të moshuarit të cilët nuk kanë pranë të afërmit e tyre. Që prej fillimit, kur nisi operacioni humanitar, kemi trokitur në çdo derë në bazë të një liste me emra, ku përfshiheshin familje që kanë më shumë nevojë për ndihmë dhe jam pothuajse çdo ditë e angazhuar në këtë gjë. Gjatë kohës që kam shpërndarë dhe jemi në proces angazhimi çdo ditë, nuk gjej fjalë për të përshkruar kënaqësinë time, si një e re që u vjen në ndihmë gjyshërve tanë por edhe atyre që vuajnë për shkak se nuk kanë mundësi ekonomike të mira”-tha ajo për ATSH-në.

Më tej, vullnetarja u shpreh se të vazhdoje të jape kontributin e saj vullnetar deri në përfundim të situatës së vështirë të krijuar prej COVID-19.

“Unë respektoj rregullat e mara nga qeveria qoftë për të mos të dalë, qoftë për të ruajtur distancën fizike me të tjerët apo masat e nevojshme për të ruajtur të tjerët veçanërisht grupet e rrezikuara. Kam frikë nga virusi dhe për këtë mbrohem me të gjitha masat, por kjo nuk më ndalon të jap kontributin tim në këto ditë të vështira edhe për qytetin tim. Nëse nuk ndihmojmë ne të rinjtë, atëherë nuk kemi kuptuar vlerat e një shoqërie demokratike e solidare. Do të vazhdoj të jap kontributin tim vullnetar deri në përfundim të situatës së vështirë të krijuar prej COVID”- tha Kamela Mule për ATSH-në.

Nga ana e saj, kryetarja e bashkisë së Urës Vajgurore u shpreh për ATSH-në se në total janë 10 vullnetarë të angazhuar në shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë.

“Situata e krijuar nga pandemia, nxori në pah edhe solidaritetin e banorëve të komunitetin tonë. Të rinjtë ishin, nga ata që i’u bashkuan aksionit tonë të ndarjes së pakove ushqimore , jo vetëm si patronazhistë,  duke ndihmuar familjet në nevojë, por edhe si donatorë, duke dhuruar ç’ka munden  për ata që kishin më shumë nevojë në këto ditë. Gjej rastin t’i falënderoj nga zemra, edhe na bënë të ndihemi krenarë’-tha ajo.

Sipas Memajt, “një shembull për t’u marrë është edhe Kamela Mule e cila iu bashkua grupit tonë të patronazhimit që prej ditës së parë”.

z.tosku//a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.