Testet serologjike/ Fico: Jemi të interesuar të vlerësojmë situatën e popullatës

TIRANË, 28 prill/ATSH/ Testet serologjike të cilët kanë nisur të kryhen fillimisht tek personeli shëndetësor për të vlerësuar imunitetin, mund të shtrihen më pas edhe tek grupe të caktuara si ai i gazetarëve.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico u shpreh se ministria e Shëndetësisë është e interesuar të vlerësojë situatën e popullatës.

“Analizat serologjike vijojnë mbi bazën e një kampionimi të gjerë për personelin shëndetësor. Pa diskutim, në përfundim të rezultateve do t’iu bëjmë me dije. Testet serologjike janë të rëndësishme për të kuptuar imunitetin apo gjendjen e kundërtrupave në popullatë. Pa diskutim jemi të interesuar të vlerësojmë situatën e popullatës dhe grupeve të caktuara”, u shpreh Fico.

Fico theksoi se nga 30 fëmijët e prekur nga COVID, 11 prej tyre janë shëruar ndërsa asnjë prej tyre nuk ka qenë i shtruar në asnjë nga spitalet ndërsa nga 4 gratë shtatzëna të prekura nga infeksioni, 3 prej tyre janë shëruar.

‘Fatmirësisht, fëmijët janë një kategori që duke u bazuar në eksperiencën tonë, nuk preken në forma të rënda. Nuk kemi pasur apo të kemi fëmijë të shtruar në spital ndërkohë që kemi 11 fëmijë të shëruar nga 30 që janë testuar pozitivë.

Lidhur me numrin e grave shtatzëna të prekura, Fico u shpreh se “lajmi i mirë është që 4 gra shtatzëna që kanë qenë të prekura nga COVID-19, 3 prej tyre janë të shëruara’.

Me tej, ajo tha se “dy të burgosur të prekur nga COVID-19 kanë qenë në paraburgim dhe janë transferuar”. z.tosku/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.