Reforma Zgjedhore/Balla: Në 1 korrik të fillojë puna për implementimin e ndryshimeve të reja

TIRANË, 28 prill /ATSH – I. Vata/ Politika do të rikthehet javën e ardhshme me nisjen nga puna të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe Komisionin e Posaçëm për shkarkimin e Presidentit.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla tha se ndryshimet në Kodin Zgjedhor do përfundojnë më 30 qershor dhe më 1 korrik do të fillojë implementimi i tyre.

“Unë dua të nxisë dy bashkëkryetarët e posaçëm të Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdarin dhe Damian Gjiknurin për të konkluduar edhe për dialogun me opozitën joparlamentare për të mundësuar që Kuvendi i Shqipërisë të ketë votuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor deri në fund të të afatit, ku  të gjithë rekomandimet e OSBE/ODIHR të transpozuara në Kodin Zgjedhor, sepse kodi përmbyllet më 30 qershor dhe më 1 korrik do të fillojë puna për implementimin e ndryshimeve të reja”, theksoi ai.

Kryetari i grupit parlametar të PS-së Balla tha se edhe Komisioni i Posaçëm për shkarkimin e Presidentit do vijojë punën.

““Komisioni i Posaçëm është mandatuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ku merr pjesë mazhoranca dhe opozita,  për të konkluduar lidhur me çështjet e ngritura nga deputetet kërkues, dhe në këtë detyrë që ata kanë marrë për fat të mirë po konsultohen dhe janë konsultuar me Komisionin e Venecias”, tha ai.

Ndërsa, kryetarja e grupit parlamentar të opozitës dhe bashkëkryetarja e Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari tha se presim javën tjetër, por dhe brenda kësaj jave të kemi bisedime se si të ecim përpara, kur të kemi takimin e parë, ndoshta dhe me një raportim për Reformën Zgjedhore, hapa që janë marrë deri më tani.

Në lidhje me Komisionin e Posaçëm për shkarkimin e Presidentit, Hajdari tha se Komisioni për hetimin e Presidentit nuk duhet të ekzistojë, sepse në rrethana kur nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, mendoj se është keqpërdorur si situatë midis një konflikti mes mazhorancës dhe Presidencës. /r.e//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.