Paga e luftës/ 40 mijë lekë për punonjësit e Ballshit dhe 16 mijë për aplikuesit e ndihmës ekonomike

TIRANË, 28 prill/ATSH/  Komiteti  Ndërministror i Emergjencave Civile vendosi të japë një ndihmë  financiare  prej  40 000 (dyzet mijë) lekësh për punonjësit e Rafinerisë së Naftës në Ballsh, si dhe  prej  16 000 (gjashtëmbëdhjetë  mijë)  lekësh  për  aplikuesit  e ndihmës  ekonomike që  nga  muaji  korrik  2019  e deri  në  muajin  prill 2020.

Në vendimin e fundit, të botuar në Fletoren Zyrtare  theksohet se “përfitojnë  ndihmë  financiare  prej  40  000 (dyzet mijë) lekësh  punonjësit e Rafinerisë së Naftës, Ballsh, të cilët figurojnë në listëpagesën e muajit  dhjetor  2019  dhe  që  kanë  një  pagë  bruto nën masën 100 000 (njëqind mijë) lekë/muaj”.

“Përfitojnë  ndihmë   financiare   prej   16   000 (gjashtëmbëdhjetë  mijë)  lekësh  për  aplikuesit  e ndihmës  ekonomike,  të  cilët  rezultojnë  aplikues që  nga  muaji  korrik  2019  e  deri  në  muajin  prill 2020,   të   cilët   nuk   kanë   përfituar   ndihmë ekonomike dhe, aktualisht, nuk përfitojnë as nga fondi   6   për   qind   akorduar   bashkive,   përveç rasteve që janë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike,  sipas  nenit  15,  të  ligjit  nr.57/2019, “Për  asistencën  sociale  në  Republikën  e Shqipërisë””, – thuhet në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare.

Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë  dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare

/k.s//a.a/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.