Masat ndaj COVID-19/ AKU vendos 4 masa paralajmërimi dhe asgjëson 78.282 tonë produkte ushqimore

TIRANË, 28 prill/ATSH/ Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit vijojnë inspektimet në garantim të sigurisë ushqimore dhe monitorime të përbashkëta në kuadër të Taskforcës së ngritur kundër përhapjes së COVID-19, ku vetëm sot janë kryer 144 kontrolle zyrtare dhe monitorime.

Në një njoftim për shtyp, AKU thekson se “gjatë inspektimit në Tiranë janë dhënë 4 masa administrative “paralajmërim”, janë marrë 10 mostra për t’u analizuar, si dhe janë asgjësuar 78,282 tonë produkte ushqimore me kërkesë të vetë subjektit”.

“Në Kukës është bërë monitorimi i të gjithë furrave të bukës, nga ku është vënë shirit bllokimi të gjithë prerësve të bukës. Në Shkodër janë dhënë 3 masa administrative “paralajmërim”, ndërsa në Vlorë janë dhënë 2 të tilla”, – nënvizon AKU.

Përsa i përket Planit të Monitorimit për marrjen e mostrave, AKU shprehet se “janë marrë 15 mostra për analizim për fruta-perime në Fier, 13 mostra në Korçë dhe 2 në Vlorë për analizimin e mbetjeve pesticide tek fruta-perimet, analizimin e fuqisë mbirëse tek farërat, si dhe mostra në produkte qumështi”.

Në disa subjekte në Fier nuk ka pasur afishim masash për protokollin e sigurisë higjieno-sanitare në kuadër të masave të marra kundër përhapjes së COVID-19.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë të jetë i pranishëm në të gjithë vendin për të garantuar sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve./k.s//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.