Librazhd, kryebashkiaku Gurra: Lehtësi në taksa për bizneset dhe ndihma për të pamundurit

TIRANË, 28 prill/ATSH/ Librazhdi është një nga qytetet e përfshira në “zonën e gjelbër” si një nga zonat me risk të ulët nga COVID-19 për shkak se deri më tani nuk ka asnjë rast të evidentuar me këtë sëmundje.

Kryetari i bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra ka shpjeguar gjithë masat e marra nga institucioni që ai drejton në mënyrë që lehtësimi të mos kthehet në bumerang.

Gurra ka thënë se gjithë bizneset e qytetit të Librazhdit të cilët do të kenë lehtësim ndaj detyrimeve që kanë ndaj bashkisë.

“Le ta themi që qeveria shqiptare është treguar shumë e kujdesshme dhe u ka dalë në krahë të gjithë bizneseve të vogla të cilat përbëjnë shumicën në bashkinë Librazhd për t’i mbështetur ato financiarisht. Sigurisht disa nga këto biznese kanë funksionuar, ku kam parasysh farmacitë, ushqimoret të cilat nuk është se kanë ndaluar punën gjatë kësaj periudhe. E sigurisht ne si bashki do të marrim disa masa me anë të Këshillit bashkiak për të lehtësuar taksat që paguhen në bashki për periudhën kur këto biznese nuk kanë funksionuar.  Por nuk e kemi bërë deri më tani për një arsye shumë të thjeshtë sepse ne nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo situatë. Në momentin që kjo do të ndërpritet sigurisht pastaj që ne jemi shumë fleksibël për të marrë dhe ndihmat e duhura që do të lehtësojnë barrën financiare të biznesit të vogël ndaj bashkisë, por nga ana tjetër nuk do të rrezikojmë në asnjë mënyrë funksionim normal të bashkisë. Sepse po marr për shembull vetëm çështjen e pastrimit. Pavarësisht se ne kemi qenë në shtëpi dhe nuk ka pasur lëvizje, sigurisht që kompania e pastrimit është detyruar që të heqë mbetjet çdo ditë dhe për këtë dikush do të duhet ta paguajë”, – ka thënë ai.

Lidhur me ndihmat e shpërndara në të gjitha rrethinat e Librazhdit, Gurra ka shpjeguar se “pakot që ne kemi shpërndarë sigurisht që deri tani bashkia Librazhd nuk ka paguar  faturë për to. Janë të gjitha donacione, ndërkohë që bazuar dhe në vendimin e qeverisë ne kemi bërë këto ditë një prokurim dhe kemi bërë blerje në të cilat shpërndajmë tek të gjitha familjet në nevojë.

Dua ta theksoj këtë, sepse ka një perceptim sikur meqenëse na ndodhi kjo situatë të gjithë duhet të marrin ndihma. Jo nuk është kështu. Ndihma do të marrin vetëm ato familje të cilat mungesa e ndihmave i rrezikon realisht jetesën. Që do të thotë që janë familje të përcaktuara me vendim qeverie si ato që marrin ndihma ekonomike, por edhe që nuk kanë të ardhura të tjera sepse disa marrin ndihmë ekonomike, por kanë dhe pagesa të tjera si KEMP dhe pagesa kujdestarie e të tjera si këto. Por nga ana tjetër ne jemi fokusuar dhe kemi dërguar ndihma tek familjet që realisht nuk kanë të ardhura dhe që e kanë të domosdoshme paketën ushqimore”.

I pyetur mbi investimet publike, kryetari i bashkisë tha se “ne kemi një situatë të vështirë financiare le ta themi, sepse dikush do paguajë për gjithë këtë stanjacion, buxheti do të jetë më i vogël patjetër. Diku do pasqyrohen dhe sigurisht hallka e fundit që do miratojmë është mendimi i buxhetit të bashkisë.

Ne jemi fokusuar tashmë dhe tek investimet të cilat janë të domosdoshme për këtë fazë siç ka të  bëjë me situatën e dezinfektimit, me shtimin e sipërfaqeve të pastruara në të gjithë bashkisë. Sigurisht pastaj do të shohim periudhën në vazhdim, mundësitë financiare që na kanë mbetur me atë buxhet që kemi miratuar në janar, nëse është realisht i zbatueshëm apo jo. Sipas të gjitha gjasave ne do të na duhet që të shkurtojmë buxhetin e bashkisë Librazhd duke përfshirë sigurisht investimet”.

z.tosku/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.