RUSI – Takim i pesë Fuqive të Mëdha për kontributin në luftën kundër COVID-19

MOSKË, 27 prill /ATSH-AFP/ – Rusia njoftoi sot një takim të ardhshëm të drejtuesve të pesë vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kërkuar nga sekretari i përgjithshëm për t’u treguar të bashkuar përballë pandemisë.

“Pesë Fuqitë e Mëdha po shqyrtojnë kontributin e tyre të mundshëm në luftën kundër koronavirusit”, deklaroi kreu i diplomacisë ruse, Serguei Lavrov.

“Për këtë qëllim, zhvillimi i një takimi me videokonferencë ka qenë miratuar në parim. Për të mësuar se kur do të mund të zhvillohet ne jemi duke vendosur”, shtoi ai.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov konfirmoi për gazetarët se data e takimit nuk ishte vendosur ende.

Këshilli i përhershëm i Sigurimit të OKB-së përbëhet nga Rusia, Franca, Kina, Britania e Madhe dhe SHBA-ja.

Në mes të muajit prill, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u kërkoi këtyre pesë vendeve, të ndarë që prej disa javësh, të tregoheshin të bashkuar përballë COVID-19, që ka shkaktuar më shumë se 200 000 të vdekur në botë.

Disa ditë më parë presidentët rus, Vladimir Putin dhe francez, Emmanuel Macron përmendën mundësinë e një takimi mes drejtuesve të pesë vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.