Në ndihmë të fëmijëve dhe të moshuarve/ 131 kujdestarë e infermierë të karantinuar brenda institucioneve të përkujdesit social

TIRANË, 27 prill/ATSH/ 131 punonjës, kujdestarë e infermierë janë karantinuar brenda institucioneve të përkujdesit social në Shqipëri, për të garantuar sigurinë e jetës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot shembullin e atyre që vijojnë shërbimin e vazhdueshëm si për fëmijët me nevoja të veçanta, ashtu edhe për më të moshuarit.

“Bukuri njerëzore. 131 punonjës, kujdestarë e infermierë janë karantinuar brenda institucioneve të përkujdesit social në Shqipëri, për të garantuar sigurinë e jetës dhe shërbimin e vazhdueshëm si për fëmijët me nevoja të veçanta, ashtu edhe për më të moshuarit tanë. Hajde flisni Shqipëria kështu e Shqipëria ashtu, po Shqipëria është thjesht super”, tha Rama.

ERTV ishte sot në disa prej institucioneve të shërbimit social, për të njohur nga afër disa prej këtyre heronjve të heshtur.

Në shtëpinë e të moshuarve në Tiranë, prej më shumë se 1 muaji punonjësit e kësaj qendre janë vetëkarantinuar së bashku me të moshuarit rezidentë në këtë qendër që të sigurojnë shëndetin dhe jetën e tyre.

“Nga data 12 mars jemi mbyllur këtu dhe e bëjmë punën me shumë dashuri. Ata kanë nevojë për shumë përkujdesje, janë të moshuar”, tha njëra prej punonjëseve.

Lindita zgjodhi të mos ishte pranë familjes dhe në kohën kur ishte pranë të moshuarve në karantinë ndodhi humbja e vjehrrit të saj. “Gjithçka ndodhi në duart e fëmijëve të mi. Ata janë trembur shumë se nuk kishin parë kurrë, por kjo dhimbje iu kthye në forcë dhe më dhanë mua kurajo që të qëndroja këtu dhe t’u shërbeja këtyre të moshuarve”, tha ajo.

“Ne gjithmonë shërbimi na bëhet por nuk e menduam të na rrinin këtu punonjëset tona, i falënderojmë nga shpirti”, tha një i moshuar.

Ndërsa dy punonjëse të Shtëpisë së Foshnjes, Irma dhe Valbona morën mesazhe surprizuese nga fëmijët e tyre.

“Buzëqeshja e tyre, drita e syve të fëmijëve që u shërbejmë të krijojnë një emocion tepër të veçantë ndaj ne e pranuam me dëshirë për t’i shërbyer këtyre fëmijëve”, thanë ato.

Edhe personeli i Qendrës së Zhvillimit të Fëmijëve “Pëllumbat” kanë qenë non stop pranë tyre duke bërë aktivitete të ndryshme që ata të mos e ndiejnë izolimin.

“Është një sakrificë e bukur sepse në mes ka marrëdhënie njerëzore dhe në fund të ditës ne jemi shumë të kënaqura pasi kjo na kthehet me të njëjtën gjuhë nga fëmijët”, u shprehën ato.

Shqipëria është ndër të paktat vende të botës që nuk shënon asnjë të infektuar në institucionet e përkujdesit shoqëror. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.