Lufta ndaj COVID-19/ Meta: Menaxhim i qëndrueshëm i situatës

TIRANË, 27 prill /ATSH/ Presidenti Ilir Meta vlerësoi mbrëmjen e sotme respektimin e masave nga qytetarët në luftën ndaj COVID-19 si dhe menaxhimin e situatës nga qeveria dhe aktorë të tjerë.

Gjatë një interviste televizive, Meta theksoi se “duhet të punojmë për përsosjen e menaxhimit të pandemisë”

“Janë marrë dy nisma deri tani, dy paketa. Në këtë drejtim duhet bërë më e mira për të pasur sa më efektivitet në zbatimin në praktikë larg burokracisë”, tha ai.

“Fakti që në tërësi kemi një menaxhim të qëndrueshëm të kësaj situatë, mund të duket sikur ka qenë një rrezik i ekzagjeruar. Ajo që mbetet e rëndësishme është që kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu në pafundësi. E rëndësishme është që ekonomia të mos sëmuret më tej”, theksoi Meta.

Për sa i përket ndryshimeve të miratuara me konsensus në Kodin Penal, Meta tha se “aktet e presidentit janë të publikuara. Qeveria dhe Kuvendi kanë kërkuar një bashkëpunim për të mos pasur një përplasje në opinion gjatë kësaj situate. Unë kam zgjedhur rrugën më të shëndetshme për të përballur këtë pandemi. E vërteta është se Kodi ynë ka pasur disa boshllëqe në këtë drejtim”.

“Po ju bëj një pyetje: Është më mirë të kemi dispozita si të Danimarkës, apo të kishim një boshllëk të plotë që të kishim disa dispozita të paqarta dhe me një hapësirë të madhe abuzimi ndaj qytetarëve të pafajshëm?” – tha Meta.

Gjithashtu, Meta tha se “nuk shqetësohem nga kritikat e shpifura apo diversionet. Aktet e mia janë transparente. S’mund të bëhem pjesë e debateve si “sipërfaqësore apo thjesht tymuese”.

I pyetur për nismën e tij në mbrojtje të Kushtetutës kundër grushtit të shteti siç dhe e ka cilësuar, Meta tha se “të jeni të sigurt që asgjë s’ka ndryshuar në mbrojtje dhe respektimin e Kushtetutës për rivendosjen e rendit kushtetues dhe demokratik. Këto qëndrime nuk më bëjnë të harroj situatën e veçantë në të cilën ndodhet vendi ynë”./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.