LONDËR – Johnson rikthehet në detyrë pas 22 ditësh

LONDËR, 27 prill /ATSH-AA/ – Kryeministri britanik, Boris Johnson është rikthyer sot në detyrë pas 22 ditësh në trajtim si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19).

Johnson u kthye dje në mbrëmje në kryeministri ndërsa sot do të kryesojë një takim të Këshillit të Ministrave i cili do të mbahet përmes videokonferencës.

Po ashtu, është paraparë që Johnson të marrë pjesë edhe në konferencën ditore për media.

Ndërkohë Johnson këtë javë pritet të njoftojë planet në lidhje me lehtësimin e masave kufizuese.

Një ndihmës i kryeministrit britanik ka theksuar se kryeministri Johnson mund të zbusë masat.

Ai ka deklaruar se 7 maji është dita kur qeveria do të duhet t’i shqyrtojë ligjërisht masat e karantinimit.

“Megjithatë, Boris mund ta bëjë këtë nëse dëshiron të ndryshojë kufizimet më herët ose të paktën të njoftojë diçka përpara kësaj. Shprehja ‘ndërprerje e karantinës’, është e gabuar. Shprehja ‘ndryshim i karantinës’ do të jetë më e saktë”, ka theksuar ndihmësi i kryeministrit britanik.

Më 23 mars u ndërmorën kufizime për daljen e qytetarëve, ndërsa u mbyllën të gjitha bizneset, me përjashtim të marketeve dhe farmacive.

Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, rezultoi pozitiv në COVID-19 më 27 mars.

Ai u shtrua në spital më 5 prill, pas vazhdimit të simptomave dhe përkeqësimit të gjendjes, ndërsa një ditë më pas u vendos në kujdes intensiv./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.