Hapja e bllokut të dytë të bizneseve, Ministria e Shëndetësisë: Akoma më i rëndësishëm zbatimi me përpikmëri i rregullave

TIRANË, 27 prill/ATSH/ Distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale mbeten të vetmet armë që ne kemi në dorë si komunitet për të frenuar përhapjen e COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu bëri apel qytetarëve dhe posaçërisht sipërmarrësve, që në kushtet e hapjes së aktivitetit ekonomik të respektojnë rigorozisht rregullat.

“Rikujtojmë të gjithë qytetarët se deri kur të kemi vaksinën, do të na duhet të gjithëve të jetojmë dhe të punojmë duke ruajtur në nivelin maksimal vigjilencën ndaj rrezikut të infektimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Sipas MSHMS, në kushtet e lehtësimit të disa masave, bëhet akoma më e rëndësishme të zbatohen me përpikëri të gjitha udhëzimet e autoriteteve shëndetësore, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale.

“Nëse keni shenja të sëmundjes COVID-19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID-19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40”, apelon ministria./a.gjonaj/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.