“Faktet i japin të drejtë ekspertëve”/ Rezultatet flasin në favor të strategjisë së ndjekur

TIRANË, 27 prill/ATSH/ “Debati për testimet i takon ekspertëve”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në një intervistë televizive, kreu i qeverisë tha se “debati për testimet është një debat që është humbje kohe përtej debatit të brendshëm në tryezën e ekspertëve, sepse ne të tjerët bëjmë hipoteza nga ato të tifozëve kur përgatisin një ndeshje me imagjinatën e tyre apo kur janë në shkallët e stadiumit dhe i japin këshilla me britma lojtarëve dhe trajnerit në fushë. Ajo që ka më shumë rëndësi është rezultati i ndeshjes, që deri tani për ne është shumë pozitiv. Kemi faktikisht një numër të vdekurish që janë shumë po t’i shohësh nga afër, por janë shumë pak po t’i shohësh krahasuar me sa mund të ishin nëse nuk do të bënim këtë që po bëjmë. Dhe kemi faktikisht një sistem shëndetësor që është i relaksuar në raport me ngarkesën. Pra ka një ngarkesë minimale krahasuar me vende të tjera. Këto të dyja e masin këtë ndeshje. Më shumë apo më pak testime janë çështje të ekspertëve dhe ata kanë treguar me fakte që kanë të drejtë”.

“Kjo nuk është një çështje as e publikut, as e gazetarëve, as e politikanëve, as e imja, por ekskluzivisht e atyre që udhëheqin të gjithë betejën në vijën e zjarrit dhe që faktikisht përcaktojnë strategjinë e kësaj lufte. Përderisa rezultatet, që në fund fare janë ato që përcaktojnë suksesin në kohë, pra deri tani, që do të thotë sa kemi të shtruar, sa në gjendje të rëndë dhe sa humbje jete, flasin në favor të tyre. Unë thjesht u heq kapelën dhe nuk i vë në diskutim”, theksoi Rama.

“Testi imunologjik ka nisur, e bëjnë shumë vende, e bëjmë dhe ne paralelisht me testimet që kryhen çdo ditë. Nuk bëhen testimet për të bërë testime. Bëhen bazuar në fakte, simptoma, kontakte dhe gjurmim. Nuk ka rëndësi u hap apo jo, por a kemi vatra të reja dhe si i identifikojmë. Nuk i identifikojmë duke dalë në rrugë dhe duke u vënë tampon në gojën e njerëzve, por duke parë simptomat”, u shpreh Rama.

“Ne kemi pasur një bashkëbisedim rreth 2 orë të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit më të lartë të Institutit të Shëndetit Publikë në Gjermani, dhe aty kanë qenë ekspertët tanë, kanë qenë ekspertët e tyre. Mora pjesë dhe unë më shumë për të mësuar, se ky është një proces ku ne të tjerët më shumë mësojmë se nuk jemi ekspertë. Dhe nuk kam parë asnjë diferencë midis strategjisë tyre dhe tonës. Dhe ata e konfirmuan qartësisht që sistemi i testimeve bazohet mbi fakte simptomatike, pastaj në gjurmim të kontakteve. Të njëjtën gjë bëjmë dhe ne këtu. Të njëjtën gjë bën stafi ynë nën drejtimin e ekspertëve duke u nisur nga persona simptomatikë dhe pastaj duke ndjekur gjithë zinxhirin e kontakteve të tyre duke gjurmuar këto që quhen klastera dhe për t’i ndarë nga të tjerët”, tha Rama.

“Ajo që s’kemi pasur deri tani dhe uroj që mos ta kemi, është që s’kemi pasur infektim komunitar. Nuk kemi pasur zinxhir infektimi në komunitet nga të katër anët, por vetëm infektim përmes kontakteve familjare apo kontakteve të drejtpërdrejta të punës. Këtu do varet shumë, jo nga teste, por nga njerëzit se sa të kujdesshëm do të jenë për të jetuar këtë fazë të re. Me rregullat që duhen zbatuar jo sepse po nuk i zbatove mund të të kapi policia, inspektorati apo ligji, por sepse është gjëja e duhur për të mbrojtur, ruan veten familjen dhe të tjerë”, u shpreh Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.