COVID-19/ Shqipëria shumë më poshtë vendeve të rajonit sa i përket numrit të të vdekurve për 1 milion banorë

TIRANË, 27 prill/ATSH-Maela Marini/ “Nëse shikojmë numrin e të vdekurve për 1 milion banorë, Shqipëria është shumë më poshtë se disa nga vendet e rajonit”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në një lidhje direkte me një studio televizive, Rama tha se “nuk është e vërtetë se në rajonin tonë jemi të gjithë njësoj për sa i përket shifrave dhe raporti bëhet shumë thjesht, të vdekur për 1 milion banorë, të tjerat pastaj janë të deformuara”.

“Nuk është të bëjmë gara kush ka më pak apo më shumë të vdekur, por duhet të mos lëvizim në asnjë moment vëmendjen nga pika kryesore. Kemi bërë të gjitha gjërat e duhura, nuk kemi bërë asnjë gabim dhe jemi organizuar në mënyrë shembullore. I kemi të gjitha mjetet për të përballuar një luftë edhe më intensive, por kjo nuk do të thotë se brenda 2, 3, 4 apo 5 javësh nuk mund të gjendemi në kushte të tjera që jeta të bëhet makth duke shkelur rregullat dhe harruar që virusi është aty”, tha Rama.

Rama tha se për suksesin e deritanishëm në menaxhimin e situatës shihet puna dhe rezultati. “Ne mund të bëjmë komente por është njësoj si të komentosh një skuadër që fiton. Flet puna. Sa i përket organizimit ne nuk jemi as Amerika, as Anglia, por për fat të mirë dhe për shkak se jemi organizuar shumë mirë ne nuk kemi ardhur në pikën që të mbledhim fëshfëshe nga qytetarët për të mbrojtur mjekët dhe infermierët”, tha Rama.

Ai theksoi se “nuk kemi ardhur në pikën kur ndonjë bluzë e bardhë të ndahet nga jeta për shkak të mungesës së mjeteve mbrojtëse, apo të mungesës në sistemin e vijës së zjarrit”.

“Këto janë arsye më shumë për këtë rezultat që kemi arritur. Nëse virusi do të kishte ardhur më parë, këtu do të kishte ngjarë hataja për shkak të kushteve ku ne e gjetëm shëndetësinë”, tha Rama. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.