Një ekip mjekësor i Spitalit të Mitrovicës hyn në vetëizolim 

PRISHTINE, 26 prill /ATSH/ -Një ekip mjekësor i Spitalit të Mitrovicës gjendet në vetëizolim në shtëpitë e tyre, pasi i ka ofruar shërbime mjekësore një pacienti nga Skenderaj, i cili pas testimit për COVID-19 ka dalë pozitiv.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Komunës Agim Bahtiri, sipas të cilit edhe një pacient i dyshuar me COVID-19 nga qyteti i Klinës, është operuar në Spitalin e Mitrovicës dhe derisa të kthehen rezultatet e testimit të tij, nuk ka siguri që ekipi tjetër mjekësor është i sigurt.

Ai apelon qytetarët e Mitrovicës që t’i shmangin në maksimum vizitat në Spitalin e Mitrovicës deri të mërkurën në mbrëmje dhe të drejtohen për në SHSKUK, pasi spitali po përballet me vështirësi në ofrimin e shërimeve pas rasteve të fundit.

Bahtiri  bëri të ditur se nesër në ora 11:00 do të mbahet mbledhja e Shtabit Emergjent të Komunës së Mitrovicës, për të diskutuar në lidhje me situatën e krijuar dhe hapat e mëtejshëm.

Mitrovica është ndër qytetet e pakta pa persona pozitivë me koronavirus deri më tani./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.