Veliaj flet për marrëdhënien e re mes mazhorancës dhe Presidentit: Sjellje normale në kohë lufte, asgjë më shumë

TIRANË, 25 prill/ATSH/  Marrëdhënien e re mes Presidentit si dhe mazhorancës, kreu i bashkisë Erion Veliaj e ka cilësuar një lajm të mirë.

Në një intervistë televizive Veliaj theksoi se kjo është një sjellje normale që do të duhet të bënte politike në këtë situatë, ndaj tha se është një veprim që duhet duartrokitur edhe nga Presidenti.

“Shumë prej aktorëve të përfshirë në krizë politike harrojnë betejat aktuale, unë besoj se ky është një kontrast i bukur për ndryshim. Ne tipikisht jemi shquar për konflikte, pavarësisht kontekstit. Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë, në një vend që gjithmonë mbjell konflikte dhe gjithmonë ndasitë politike janë mbi çdo kauzë tjetër, për herë të parë en kemi bërë një paqe, kemi ulur shpatat për të fituar një betejë me një armik me të cilin s’pajtohemi dot kurrë, siç është epidemia. Për të rifilluar debatet, diferencat që kemi mes nesh, pikëpamjet e ndryshme në një moment të dytë. Kështu që një Shqipëri normale, është në vetvete anormale, por unë them që është një lajm i mirë, krahasuar fjala vjen me vëllezërit tanë në Kosovë, ku kacafytjet politike menjëherë devijojnë komplet vëmendjen ndaj një problemi shumë të madh siç është epidemia. Kështu që për herë të parë një sjellje normale, që unë besoj se duhet duartrokitur edhe nga presidenti”, tha Veliaj.

Veliaj thekson se marrëdhënia e tij me kreun e shtetit ka pasur ulje-ngritje si pasojë e ndërhyrjes në punët komunale, por theksoi se këtë periudhë, Presidenca, 61 bashkitë, kryeministri, qeveria janë të gjithë bashkë në këtë rrugë.

“Unë besoj që ajo që duket tepër, është që po lexojmë më shumë seç duhet, para aq shumë na habit sjellja normale e dikujt, saqë fillojmë teori konspiracioni. Unë kam pasur vetë një marrëdhënie me ulje-ngritje me Presidentin. Si drejtues i bashkisë së Tiranës, nuk më pëlqen të fus hundët në institucionet e tjera, dhe sigurisht që nuk më pëlqen kur institucionet e tjera që s’kanë lidhje me bashkinë, fusin hundët në punët e bashkisë, për të cilën është zgjedhur një administratë që t’i kryejë”, – theksoi Veliaj duke shtuar siç mund të jenë punët publike, siç mund të jetë zgjerimi i Lanës, siç mund të jetë unaza.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se “e kam pasur jo të lehtë marrëdhënien me presidentin kur Presidenca është marrë me punët komunale, siç më vjen shumë mirë që sot Presidenca, 61 bashkitë, kryeministri, qeveria janë të gjithë bashkë në këtë rrugë. Kështu që e shoh vetëm si një sjellje normale në kohë lufte dhe asgjë më shumë”./k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.