MASHTI nxjerr vendim për procedurat e vlerësimit të nxënësve gjatë mësimit në distancë

PRISHTINE, 25 prill /ATSH/ Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka nxjerrë vendim për “Procedurat e realizimit të vlerësimit të nxënësve gjatë mësimit në distancë”, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Po ashtu, me ndihmën e shumë ekspertëve, MASHTI tha se kanë përpiluar një “Udhëzues për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë” në Kosovë gjatë periudhës së rrethanave emergjente të krijuara nga pandemia COVID- 19 për vitin shkollor 2019/2020.

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami tha se këto dy dokumente duhet të konsiderohen pjesë integruese e mësimit në distancë.

“Udhëzuesi për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë sugjeron që vlerësimi i nxënësve gjatë mësimit në distancë realizohet i integruar. Ashtu që, gjatë periudhës së mësimit në distancë në rrethana të pandemisë COVID-19 nuk do të zbatohen dispozitat e nenit 3 të Udhëzimit Administrativ 8/2016 për Vlerësimin e nxënësve sipas kornizës së kurrikulës së arsimit parauniversitar në Republikës së Kosovës. Në udhëzues kemi ofruar detaje për metodat, mënyrën e format e notimit dhe procedurat e vendosjes së notave në ditarin personal të mësimdhënësit. Notat e vendosura nga mësimdhënësit duhet të raportohen në organet e shkollës, me qëllim të lëshimit të librezave, certifikatave, dëftesave e diplomave për nxënës. Pastaj, në momentin që krijohen kushtet për kthim në shkollë, notat përfundimtare vendosen në ditarin e klasës përkatëse dhe në librat amë. Në muajin maj, do të nxjerrim edhe një vendim për mbajtjen e Testit të arritshmërisë (klasa 9) dhe Provimit të Maturës (klasa 12), në konsultim me autoritetet dhe institucionet përkatëse. Me këtë vendim gjithashtu do të harmonizohen datat për regjistrim në klasën e 10-të si dhe afatet për aplikim për studime në Universitete apo Kolegje. Falenderoj edhe njëherë të gjithë ekspertët e angazhuar në përpilimin e udhëzuesit i cili ka qenë kërkesë e shumë mësimdhënësve dhe do të lehtësojë tërë procesin e vlerësimit të nxënësve në këto rrethana të pazakonta”, tha Bajrami./KosovaPress/ /e.m/ /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.