FOTO- Operacionet humanitare/ Mbi 600 familje në nevojë janë ndihmuar në 8 bashki të vendit

TIRANË, 25 prill/ATSH/ – Mbi 600 familje dhe grupe më të rrezikuara nga pandemia COVID-19 janë ndihmuar në 8 bashki të vendit nga UNDP dhe Fondacioni “Ndihmë për Fëmijët”.

“Në përgjigje të situatës së vështirë të krijuar nga pandemia e COVID-19, UNDP, në bashkëpunim me Fondacionin “Ndihmë për Fëmijët” u kanë ardhur në ndihmë mbi 600 familjeve dhe grupeve më të rrezikuara duke i mbështetur ata me pako ushqimore, materiale didaktike për fëmijët dhe detergjente”, thekson UNDP Albania.

UNDP shton se, “këto grupe, që jetojnë në 8 bashki si Fier, Krujë, Urë Vajgurore, Belsh, Dibër, Bulqizë, Përmet dhe Lushnjë përfshijnë të papunët, të moshuarit që jetojnë vetëm, persona me aftësi të kufizuara, romë dhe egjiptianë, gratë kryefamiljare, etj., të cilëve ju nevojitet më shumë ndihmë për të përballuar këtë situatë”.

“Kjo ndihmë e dhënë për të lehtësuar sadopak situatën e krijuar nga COVID-19, jepet ne në kuadër të Programit të Përbashkët të OKB-së:”Askush të mos mbetet pas” të financuar nga Qeveria Zvicerane”, nënvizon UNDP.

/gj.mima//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.