FOTO/ Nis mbjellja e pemëve dekorative në qytetin e Burrelit

TIRANË, 25 prill /ATSH – I. Vata/- Bashkia Mat ka nisur punën sot për prerjen e pishave në kryqëzimin e qytetit të Burrelit dhe zëvendësimin e tyre më pemë të reja dekorative si dhe pastrimin dhe kurimin e lulishteve të qytetit.

Kryetari i bashkisë Burrel Agron Malaj tha se sot u bë pastrimi i sipërfaqeve të gjelbra, vendosja e koshave, mbjellje dhe krasitje pemësh, punime me bel dhe shumë punë të tjera për përmirësimin e qytetit tonë.

Ai shtoi se “çdo ditë nga një ndryshim edhe pse në një ditë pushimi dhe situatë të vështirë”.

“Bashkia Mat, me anë të Ndërmarrjes së Shërbimeve  Bashkiake ka nisur punën për prerjen e 3 pishave të mëdha në Kryqëzimin e spitalit,  të cilat do zëvendësohen me 3 pemë tjera dekorative.

Kjo ndërhyrje  ka nisur pas disa ankesave nga banorët e lagjeve për rreth. Këto pemë ishin kthyer në një fenomen shumë  shqetësues gjatë periudhës së dimrit kur kishte reshje dëbore dhe erëra të forta pasi nga momenti në moment mund të shkaktonin rrezikshmëri të lartë nga shembja e tyre”, tha ai. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.