COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 34 raste të reja, shkon në 712 numri i të prekurve

TIRANË, 25 prill/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë të ditur se nga rezultatet e testimeve në 24 orët e fundit janë konfirmuar 34  raste pozitive me COVID-19, duke e çuar numrin e të infektuarve në 712.

Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik në komunikimin me mediet tha se “gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 247 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 34 raste pozitive me COVID-19. Edhe pse ka një numër të lartë të rasteve sot, pjesa më e madhe janë asimptomatikë, pra pa shenja të sëmundjes dhe kryesisht janë kontakte të rasteve pozitive të mëparëshme”.

Qirjako tha se “vijon hetimi epidemiologjik në vatrën e Krujës, ku janë zbuluar 18 raste, të gjitha janë kontakte të rasteve të zbuluara para disa ditës, siç është edhe një rast në Mat, kontakt i një prej rasteve pozitive të Krujës që lidhet me vatrën në fasoneri”.

“Nga asnjë fasoneri tjetër nuk kemi deri më sot asnjë rast simptomatik. Kjo tregon qartë se në këtë përballje me koronavirusin, rolin kryesor e luan sjellja jonë në raport me rregullat”, – theksoi ajo.

Lidhur me rastet e tjera të identifikuara në 24 orët e fundit, Qirjako u shpreh se “6 raste në Kukës, kontakte të rastit të djeshëm të zbuluar, 4 raste në Tiranë, që lidhen me vatrën në institucionin e vuajtjes së dënimit, janë 2 raste në Kurbin, 1 rast në Lushnjë, 1 rast në Berat dhe 1 rast i importuar nga Greqia, i identifikuar gjatë qëndrimit në karantinë në Përmet, i cili aktualisht po trajtohen në spitalin infektiv në Tiranë”.

“Deri në këto momente janë testuar 7015 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 712 raste”, – tha Qirjako.

Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet në Mat dhe zgjerohet në Krujë, Tiranë, Kukës, Kurbin, Berat, Fier, dhe Lushnjë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

Tiranë 289 raste
Shkodër 103 raste
Krujë 83 raste
Durrës 42 raste
Fier 37 raste
Kurbin 31 raste
Korçë 19 raste
Elbasan 18 raste
Kukës 18 raste
Lezhë 14 raste
Has 14 raste
Kavajë 9 raste
Lushnjë 7 raste
Vlorë 5 raste
Pukë 5 raste
Mirditë 5 raste
Rrogozhinë 4 raste
Tropojë 4 raste
Berat 3 raste
Mallakastër 1 rast
Mat 1 rast

/k.s//a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.