BRUKSEL – Europa bën thirrje për armëpushim në Libi

BRUKSEL, 25 prill /ATSH-MIA/- Ministrat e Jashtëm të disa vendeve europiane dhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian (BE) për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell bënë thirrje për sigurimin e menjëhershëm të “armëpushimit humanitar” në Libi.

Borrelli në një deklaratë të përbashkët me shkrim me ministrin e Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas dhe ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio theksuan se si pjesëmarrës të procesit të Berlinit dëshirojnë që muaji i Ramazanit të jetë një mundësi për sigurimin e armëpushimit në Libi.

“Marrëveshja humanitare” mbështetet fuqimisht nga Kombet e Bashkuara (OKB), thuhet në deklaratë ku vihet theksi se “javët e fundit në vend vazhdojnë konfliktet pa ndërprerje dhe se kjo rrit dhimbjet e popullit të Libisë”.

Më tej në deklaratë thuhet se të gjithë aktorëve në Libi u bëhet thirrje për rikthim në bisedime dhe se pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) e ka rritur nevojën për armëpushim. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.