BRAZIL – Ministri i Drejtësisë Sergio Moro jep dorëheqjen

BRAZILIA, 24 prill /ATSH-AFP/- Ministri i Drejtësisë dhe Sigurisë Publike, Sergio Moro, ministri më popullor i qeverisë, njoftoi sot dorëheqjen e tij.

Moro tha se dorëheqja e tij vjen si shkak i ndërhyrjes politike nga presidenti i ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, në çështjet gjyqësore.

Moro, një ish-gjyqtar antikorrupsion vendosi ta linte postin e tij pasi kreu i shtetit pushoi nga puna një prej njerëzve të tij më të besuar, kreun e Policisë Federale, Mauricio Valeixo.

“Ndryshimi i kreut të Policisë Federale pa një shkak të vërtetë, është një ndërhyrje politike, e cila minon besueshmërinë time dhe atë të qeverisë”, tha Moro.

“Autonomia e Policisë Federale është një vlerë themelore e cila duhet të ruhet në sundimin e ligjit”, theksoi ai.

Dorëheqja e tij vjen tetë ditë pas shkarkimit nga Jair Bolsonaro i një anëtari tjetër popullor në qeverinë e tij, ministrit të Shëndetësisë, Luiz Henrique Mandetta, në favor të izolimit të popullsisë si masë kundër koronavirus, ndryshe nga presidenti./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.