AZI – Linjat ajrore përballen me humbje të mëdha për shkak të COVID-19

KUALA LUMPUR, 24 prill /ATSH-DPA/ – Një organizëm i industrisë që përfaqëson rreth 300 linja ajrore paralajmëroi se kompanitë ajrore në rajonin e Azi-Paqësorit mund të pësojnë rënie të biznesit gjatë këtij viti për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), në të cilën përfshihen 290 linja ajrore, deklaroi se sektori përballet me një rënie të ardhurash prej 113 miliardë dollarë, pothuajse dy herë më shumë se Prodhimin i Brendshëm Bruto i Mianmar, për shkak të pandemisë që ka shkaktuar 190 000 viktima në të gjithë botën, sipas të dhënave zyrtare të mbledhura nga Universiteti Johns Hopkins në SHBA.

“Linjat ajrore në rajon po përballen me një rënie prej 50% të kërkesës së pasagjerëve në vitin 2020, në krahasim me vitin 2019″, deklaroi IATA, duke paralajmëruar ndikime katastrofike të goditjes.

Conrad Clifford, nënkryetari i IATA-s së Azi-Paqësorit, theksoi se 11,2 milionë vende pune janë në rrezik, përfshirë ato që varen nga industria e aviacionit, si udhëtimet dhe turizmi. / /sara/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.