UEFA shtyn Kampionatin Europian të futbollit për femra

SION, 23 prill /ATSH-AA/ – Komiteti ekzekutiv i UEFA-s konfirmoi shtyrjen e Kampionatit Europian 2021 në futboll për femra për një vit për shkak të shpërthimit të koronavirusit të ri (COVID-19).

“Komiteti ekzekutiv i UEFA-s ka konfirmuar se kompeticioni i shtyrë për femra 2021 do të luhet në Britani të Madhe nga 6 deri më 31 korrik 2022. Është planifikuar të përdoren të njëjtat ambiente që ishin propozuar fillimisht për organizimin e ngjarjes”, tha Komiteti në një deklaratë.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin tha se organizata kishte marrë parasysh të gjitha opsionet për turneun.

“Kur u detyruam të merrnim një vendim urgjent për shtyrjen e EURO 2020, gjithmonë kemi pasur në mendje ndikimin në EURO 2021 për femra”, tha ai.

“Duke e zhvendosur Kampionatin e UEFA-s për femra në vitin e ardhshëm, ne sigurojmë që kompeticioni ynë kryesor për femrat do të jetë turneu i vetëm i madh i futbollit të verës, duke i siguruar asaj vëmendjen që meriton”, shtoi ai.

Klubet e futbollit në të gjithë botën po përballen me humbje nga pandemia, pasi ligat dhe garat përfshirë ato të UEFA-s mbeten të pezulluara ose u anuluan.

“Pas Olimpiadës, e cila tani u konfirmua për verën e vitit 2021, ne besojmë me vendosmëri se shtyrja në 2022 është në interesin më të mirë të turneut, lojtarëve, tifozëve, partnerëve të futbollit të femrave dhe të gjithë të përfshirëve në të gjitha fushat dhe në të gjitha nivelet e lojës”, tha shefja e futbollit të femrave të UEFA-s, Nadine Kessler.

“Kampionatit Evropian për femra është eventi më i madh sportiv i fermave në Evropë. Gjithashtu është ndër ngjarjet më të mëdha sportive në botë, prandaj ka nevojë dhe meriton një platformë të veten”, tha ajo./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.