Trajtimi i ankesave për paketën e ndihmës financiare 2/ Tatimet: Ja mënyra se si duhet të aplikoni

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi subjektet apo individët, të cilët konsiderojnë se mund të jenë përfitues të ndihmës financiare sipas VKM nr. 305 datë 16.04.2020, por kërkesa e tyre është refuzuar apo nuk i është dhënë mundësia për të aplikuar, kanë mundësi të paraqesin Formularin e ankesës (Formati 1 për subjekte dhe Formati 2 për individë), përmes kanaleve të komunikimit, të vëna në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Sipas DPT-së subjektet, mund të ngarkojnë Formatin nr. 1 të ankesës, të plotësuar, në e-filing, menuja “Çështjet e mia” – “Pyetje e Përgjithshme”.

“Tatimpaguesi në ankesën e tij duhet të shprehë qartazi problematikën si dhe të vendosë ID e punonjësve për të cilët pretendon se nuk janë përfshirë në Kërkesën për ndihmë financiare 2, të paraplotësuar me të dhënat e individëve potencialisht përfitues”, – thekson DPT.

DPT sqaron se individët, mund të dërgojnë Formatin nr. 2, të plotësuar, në adresën e dedikuar të emailit: [email protected]

“Është e rëndësishme që ankesa e dërguar nga individët duhet të përmbajë NIPT e subjektit në të cilin është i punësuar dhe ka aplikuar, NID përkatës të individit si dhe të dhëna të tjera të kërkuara në formular”, – thekson DPT.

Në këtë periudhë të situatës së emergjencës së krijuar nga COVID-19, trajtimi i çdo ankese të paraqitur nga çdo individ apo subjekt, në lidhje me përfitimin e ndihmës financiare, mbështetje e Qeverisë shqiptare, është prioritet i Administratës Tatimore./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.