Tomini: Hetim epidemiologjik i thelluar në Krujë deri në brezin e tretë të personave të kontaktit

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini në një nga mediet e vendit deklaroi se në Krujë po vijon hetimi epidemiologjik i thelluar duke kaluar në brezin e dytë dhe të tretë të personave të kontaktit me persona të rezultuar pozitivë ndaj COVID-19.

“Dua të theksoj se jemi në vijim të hetimit epidemiologjik në rrethin e Krujës dhe pikërisht në fasonerinë që ishte vatra epidemike. Testimi ka disa kritere, që duhet të kemi shenja klinike dhe duhet të jetë kontakt i ngushtë i personit që ka rezultuar me COVID. Gjurmimi i thelluar, i zgjeruar bën që të shkëputesh nga grupi i parë apo nga rrethi i parë i ngushtë i kontaktit të rastit pozitiv dhe të kalojmë në brezin e dytë apo të tretë. Ky hetim epidemiologjik bën që këto testime të zgjerohen në masë dhe hetimi epidemiologjik po vijon edhe në këto momente”, – tha Tomini.

E pyetur mbi rastet e reja me COVID-19 në vend, Tomini sqaroi se periudha e inkubacionit të zgjatur bën që dita-ditës, të kemi shfaqje të rasteve ndoshta me një trend në rritje që ndryshon çdo ditë.

“Raste të reja janë të reja si raste primare ndërsa një pjesë e tyre janë kontakte apo raste sekondare që vijnë si rrjedhojë e kontaktit të ngushtë me personat që janë konfirmuar pozitivë. Hetimi epidemiologjik i thelluar ka nxjerrë në pah edhe kontaktet dytësore të cilat rezultojnë për shkak të periudhës së inkubacionit të gjatë rezultojnë pak më me vonesë në ditë në momentin kur ato shfaqin shenja fillestare të sëmundjes apo në ditën e pestë, të gjashtë kur pretendohet të kemi pasur kontakt me rastin pozitiv. Janë raste të shkëputura dhe raste sekondare dhe primare si rrjedhojë e transmetimit të zinxhirit të infeksionit”, u shpreh ajo.

Si ekspertë, Tomini tha se masat e marra në kohë sollën një epidemi të butë në Shqipëri.

“Realisht situata epidemiologjike dhe epidemia e COVID në vend, pa diskutim që nëpërmjet masave të marra pati këtë peshë kundrejt popullatës dhe kundrejt sistemit shëndetësor njëkohësisht. Duhet thënë, e kanë vlerësuar edhe organizata botërore e shëndetësisë dhe struktura të tjera, që marrja e masave në kohë bëri që të kemi një epidemi të butë, një kurbë epidemike të tillë dhe një sistem shëndetësor që iu përgjigj më së miri duke krijuar kapacitete, shtretër, oksi-terapi, shfrytëzimi i shtratit kryesisht reaminator ishte kryesisht në kapacitetet e duhura”, tha Tomini. z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.