Sveçla shkarkon nga detyra kryeshefen e Inspektoratit Policor të Kosovës

PRISHTINE, 23 prill /ATSH/ -Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, shkarkoi sot nga detyra kryeshefen e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradie Kelmendi.

Vendimi vjen pas analizës së gjetjeve nga raporti me rekomandime për Mbikqyrje të zbatimit të ligjit për IPK-në, hartuar nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Raporti i Auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme të vitit 2018.

Sveçla sqaron se vendimin për shkarkim e ka marrë edhe duke pasur parasysh letrën e rekomandimeve nga Avokati i Popullit lidhur me çështjen “Agron Hasanaj kundër Inspektoratit Policor të Kosovës”.

Në këto raporte konstatohen shkelje të ndryshme në menaxhimin e IPK-së dhe mes të tjerash edhe rekomandohet shkarkimi i Kelmendi.

“Gjetjet e raporteve e bëjnë të domosdoshëm shkarkimin. Në krye të institucioneve na duhen njerëz që respektojnë ligjin dhe iu garantojnë qytetarëve transparencë të plotë, shërbim profesional e mbrojtje. E kjo është edhe më e rëndësishme kur flasim për drejtuesit në institucionet e rendit publik e ata të Policisë së Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë, duke mbajtur përgjegjësi maksimale dhe duke mos lejuar shkeljet, e forcojmë shtetin”, tha Sveçla.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.