Shqipëria ushtroi të drejtën që Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut ua njeh shteteve për t’u shmangur nga detyrimi

TIRANË, 23 prill/ ATSH- A. Fortuzi/ Derogimi nga Konveta Europiane për të Drejtat e Njeriut e vendit tonë ka ardhur si rrjedhojë e masave të marra për përballimin e situatës dhe frenimin e përhapjes së COVID-19, të cilat kufizonin disa të drejta të garantuara në Kushtetutë.

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste Taulant Balla, ka sqaruar se “në datën 1 prill 2020, Qeveria shqiptare nëpërmjet Përfaqësuesit të Përhershëm të saj pranë Këshillit të Europës, ka dërguar një Notë verbale, me anë të së cilës ka informuar Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Europës për ushtrimin e të drejtës së Derogimit nga Konventa, bazuar në nenin 15 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

“Derogimi nga Konventa erdhi si rrjedhojë e masave të marra për përballimin e situatës dhe frenimin e përhapjes së COVID-19, të cilat kufizonin disa të drejta të garantuara në Kushtetutë, si e drejta e lëvizjes së lirë, ajo e arsimit, e drejta e pronës, e drejta familjare etj, të cilat mund të bëhen shkak për cenimin e disa të drejtave të mbrojtura nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare (neni 8) liria e tubimit dhe organizimit (Neni 11) etj, e drejta e pronës (Neni 1 i Protokollit Nr.1)”, – sqaron Balla.

“Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut u njeh shteteve anëtarë të drejtën për të deroguar nga ajo, në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme (Neni 15 i Konventës). Ky nen përfaqëson një klauzolë shmangieje nga Konventa. Ai u jep Shteteve Kontraktuese mundësinë që, në rast rrethanash të jashtëzakonshme, t’i shmangen, në mënyrë të kufizuar e të mbikëqyrur, detyrimit të tyre për të garantuar disa të drejta dhe liri të mbrojtura nga Konventa”, – vijon Balla.

“Sipas praktikes se GJEDNJ me gjendje të jashtëzakonshme në kuptim te nenit 15 kuptohet “një rast lufte ose rreziku tjetër publik që i kanoset jetës së kombit”. Masat e marra, që iu shmangen detyrimeve të parashikuara nga Konventa, duhet të jenë “vetëm për aq sa e kërkon situata” dhe me “kusht që të mos jenë të papajtueshme me detyrimet e tjera në të drejtën ndërkombëtare””, – shton Balla.

“Procedura e derogimit ka qenë në përputhje me parashikimet e paragrafit 3 të Nenit 15, të Konventës, dhe përcakton se: Derogimi bëhet me një Notë Verbale të dërguar nga Përfaqësuesi i Përhershëm apo Ministri i Punëve të Jashtme. Nota duhet të përmbajë të drejtat dhe territorin ku do të ushtrohet derogimi. Gjithashtu dërgohen dhe aktet përkatëse të derogimit. Në çdo rast, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës mbahet i informuar në lidhje me nevojën e masave të marra, si dhe për datën në të cilën këto masat shfuqizohen dhe dispozitat e Konventës vihen sërish në zbatim të plotë”, – bën me dije Balla.

“Sikurse është parashtruar më lart, Nota Verbale është dërguar në datën 1 Prill 2020. Notës verbale i janë bashkëlidhur: Akti Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, së bashku me ndryshimet tij. Vendimi Këshillit të Ministrave Nr. 243, datë 24.03.2020 “Për Shpalljen e Gjendjes së fatkeqësisë Natyrore”. Urdhri i Ministres së Drejtësisë Nr.156/2, datë 11.03.2020 “Për shpalljen e gjendjes së epidemisë” dhe gjithë e mëpasshëm të Ministres së Drejtësisë që kanë pasuar këtë akt”, – sqaroi Balla.

“Deri tani, siç mund të verifikohet edhe në website i KiE, rezulton se kanë paraqitur nota verbale për derogimin nga Konventa 10 shtete (Shqipëria, Armenia, Estonia, Letonia, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Rumania, San Marino dhe Serbia)”, – theksoi Balla. /j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.