Reagimet kundër ndryshimeve në Kodin Penal/ Meta: U sugjeroj të thellohen, vendosëm një standard si të Danimarkës

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar ndaj deklaratave pas dekretimit të ndryshimeve në Kodin penal për situatën e COVID-19.

Meta i ka cilësuar ata që kundërshtojnë këto ndryshime si  “pseudointelektualë” dhe “pseudoekspertë”, të cilët jo vetëm kanë harruar të lexojnë libra, por as duan të lexojnë e të kuptojnë vendime të thjeshta, por tepër të rëndësishme për jetën dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve në këto momente të vështira pandemie

“Sot është një ditë e rëndësishme, Dita Ndërkombëtare e Librit. Por fatkeqësisht ka disa “pseudointelektualë” dhe “pseudoekspertë”, të cilët jo vetëm kanë harruar të lexojnë libra, por as duan të lexojnë e të kuptojnë vendime të thjeshta, por tepër të rëndësishme për jetën dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve në këto momente të vështira pandemie”, ka thënë Meta.

“Sinqerisht u sugjeroj të thellohen dhe të lexojnë variantin final të miratuar nga Kuvendi pas ndryshimeve thelbësore të propozuara publikisht nga Presidenti i Republikës”, ka thënë Meta.

Presidenti ka sjellë si shembull edhe ligjin danez. “Dhe meqenëse janë kaq të brengosur për cenimin e të drejtave të njeriut, po citoj vetëm dy nene, të një vendi që e kam për zemër si kampion të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe që shpiku institucionin e Ombudsmanit (Avokatit të Popullit), si Danimarka:

Neni 192

  1. Nëse sëmundja është e tillë që, sipas ligjit, plotëson kushtet për trajtim nga shëndeti publik ose në kohën kur kryhet vepra po trajtohet si e tillë, ose nëse masa të veçanta janë marrë nga shteti kundër sëmundjes, dënimi është burgim deri në 6 vjet.

Neni 252

  1. Personi i cili, për qëllime përfitimi, ose me dashje ose për shkak të një neglizhence të ngjashme, vë në rrezik kërcënues jetën apo aftësinë fizike të të tjerëve, dënohet me burgim deri në 8 vjet”, ka cituar Meta.

“Pra të dashur “armiq” të librit, megjithëse leximi i librit është një mundim shumë i madh për ju, besoj se këto dy rreshta do gjeni kohë t’i lexoni. Me përgjegjshmëri të plotë dhe me koherencën e përhershme jo vetëm e mbrojta Kushtetutën, por edhe zgjidhëm boshllëkun, që kishte Kodi Penal për ata që donin të përdornin pandeminë kundër shëndetit të qytetarëve, duke vendosur për këtë çështje madhore një standard si të Danimarkës. Ah sikur të kishim në çdo fushë standarde të tilla…”, është shprehur Meta.

/gj.mima/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.