Pasojat e pandemisë/ Paketat në mbështetje të qytetarëve dhe biznesit në total shkojnë në 75 miliardë lekë

TIRANË, 23 prill/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj deklaroi sot se “në tërësi paketat e qeverisë së mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve shkojnë në 75 miliardë lekë ose 650 milionë euro”.

I ftuar në një studio televizive, Ahmetaj tha se “këtu përfshihen paketat me injektim direkt kesh dhe me instrumentet e garancisë shtetërore, apo shtyrjen e tatimeve”.

“Asnjë gjë nga këto nuk është virtuale. I thatë Kryeministrit ‘ku do t’i gjeni paratë për tërmetin?’, tha: ‘Do t’i nxjerr nga dheu’, dhe i gjeti. I thatë ‘a do përgjigjet qeveria në këtë situatë?’ dhe u përgjigj”, tha Ahmetaj.

Duke detajuar këtë mbështetje totale financiare, Ahmetaj tha se nga paketa e parë janë 120 milionë euro, në paketën e dytë 70 milionë euro, që shkojnë në total 190 milionë euro të dyja”.

“150 milionë euro është fshirja e kamatave, shkon në 340 milionë euro. Instrumenti i Garancisë është 100 milionë euro dhe shkojnë në 440 milionë euro, plus paketat e dyta”, tha Ahmetaj.

Ai tha se ky fond është siguruar me “rialokime brenda buxhetit të shtetit të fondeve të shërbimeve dhe investimeve të ndryshme, plus zgjerimin fiskal”. “Po rritëm dhe do ta rrisim borxhin në favor të qytetarëve. Për këtë ditë kemi qenë të kujdesshëm gjatë këtyre 6 viteve”, tha Ahmetaj. /j.p//r.e

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.