Paketa financiare/ Ahmetaj: Përfitojnë edhe 22 mijë familje jashtë asistencës sociale, bankat aprovuan 72 aplikime të biznesit të madh

– Bankat aprovuan vetëm sot 72 aplikime kredie të biznesit të madh –

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, deklaroi sot se në paketën financiare për përballimin e situatës së COVID-19 janë futur edhe 22 mijë familje që kishin dalë nga mbështetja e asistencës për shkak të pikëzimit.

Gjatë fjalës së tij në parlament ku argumentoi kërkesën e mazhorancës për shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor, Ahmetaj tha se “mbi 52 mijë qytetarë kanë marrë pagën e parë të luftës, sot janë 11 mijë me paketën e dytë të aprovuar, janë 150 milionë dollarë kamat vonesat, janë 100 milionë dollarë që është instrumenti i garancisë, të gjitha bankat e kanë firmosur. Sot janë 72 aplikime të aprovuara për mbështetje për pagën nga bankat dhe së fundmi është 4.4% e prodhimit të brendshëm bruto në një shtet që nuk është i pasur”.

“Doni të bëni transparencë se ku shkojnë para, po jua them me bindje dhe me përgjegjësi zyrtare tek qytetarët që kanë më shumë nevojë nga të gjithë. Sot Kryeministri ka vendosur që të avancojë paketën me një shtesë për familjet në nevojë, të cilat kanë dalë për arsye të pikëzimit vitin e kaluar nga mbështetja e asistencës sociale dhe janë gati 22 mijë familje”, – theksoi Ahmetaj.

Duke folur për shtyrjen e gjendjes së jashtëzakonshme Ahmetaj u shpreh “po të diskutosh këtë si argument kundër jo nuk duhet shtyrë, apo të diskutosh se janë 30 ditë apo 60 ditë se po e përdor mazhoranca për të bërë këtë dhe këtë, jemi duke folur për jetë njerëzish. Një deputet këtu iu referuar fataliteteve sikur s’është asgjë, një jetë njeriu është e shtrenjtë dhe janë 27 qytetarë që kanë humbur jetën dhe janë 27 familje që kanë humbur njerëzit e dashur”.

“Po të bënit një krahasim dhe do t’ju ftoja ta bënim, dhe jo në një diskutim debat me njëri-tjetrin, por në një debat njerëzor me njëri-tjetrin në funksion të mbrojtjes së jetës së qytetarëve. Nëse do merrnim numrat e krahasuar të Serbisë dhe Maqedonisë, nëse do iknim me logjikën që ka Serbia sot në trajektore Shqipëria do kishte 100 të vdekur, 80 nëse do kishim trajektoren e Maqedonisë së Veriut po të kishim trajektoren e Italisë, Zot na ruaj”, – nënvizoi Ahmetaj.

Sipas tij, nëse do ishte ajo situatë ju do thonit fajin e ka qeveria.

“Është përgjigjja e qeverisë dhe e mazhorancës edhe juaja  nëse doni për të frenuar përhapjen e virusit. Dhe diskutimi duhet të jetë në funksion të mbrojtjes jetës së qytetarëve dhe me dritë në fund të tunelit. Të drejtat e njeriut janë themelore dhe më themelorja është e drejta e jetës”, – tha Ahmetaj./k.s/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.