Kryesia shqiptare/ Mblidhet online Këshilli i OSBE-së, çdo përpjekje për të përmbushur misionin

TIRANË, 23 prill/ATSH/ “Pavarësisht këtyre kohërave të jashtëzakonshme, ne vazhdojmë të bëjmë çdo përpjekje për të vazhduar punën tonë”, tha sot ambasadori Igli Hasani, kryetar i Këshillit të Përhershëm, teksa kryesoi Këshillin e parë për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në internet.

Për herë të parë në historinë e tij, Këshilli i Përhershëm i OSBE-së u mblodh sot online. Në përputhje me masat dhe kufizimet e paraqitura nga OSBE dhe autoritetet austriake pritëse në kuadër të pandemisë COVID-19, delegacionet e 57 shteteve pjesëmarrëse dhe 11 Partnerë për Bashkëpunim mbajtën takimin e tyre të parë përmes videokonferencës.

“Këshilli i Përhershëm është thelbësor për të ruajtur dialogun politik midis shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe për të udhëhequr punën e rëndësishme të përditshme të Organizatës sonë në Vjenë dhe në të gjithë rajonin tonë. Për këtë arsye Kryesia shqiptare ka dyfishuar përpjekjet e saj për të bashkuar të gjitha shtetet pjesëmarrëse, partnerët dhe strukturat ekzekutive të OSBE-së në mënyrë që kjo Organizatë të mund të vazhdojë punën e saj në mënyrë efektive, duke çuar para  objektivat e saj të përbashkëta”, tha Hasani.

Sekretari i Përgjithshëm Thomas Greminger falënderoi kryetarin e Këshillit të Përhershëm, ambasadorin shqiptar Hasani dhe shtetet pjesëmarrëse për takimin e sotëm të rëndësishëm. Ai vlerësoi veçanërisht ekipin e shërbimeve të TIK  dhe të konferencës që bënë të mundur këtë sesion online. Në këtë kuadër “personeli ynë në të gjithë rajonin e OSBE-së vazhdon të punojë së bashku për të përmbushur mandatet e tyre duke i garantuar sigurinë stafit tonë”.

Diskutimi i sotëm u përqendrua në raportet periodike nga shefi i Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në Ukrainë, ambasadori Halit Çevik, dhe Përfaqësuesi Special i kryetarit të OSBE-së në Ukrainë dhe Grupit të Kontaktit Trilateral, ambasadori Heidi Grau.

Ambasadori Hasani i kujtoi Këshillit të Përhershëm vdekjen tragjike të Joseph Stone, mjekut të Ekipit Special të Monitorimit (SMM), më 23 prill 2017. “Kjo është një kujtesë e trishtuar dhe e ashpër e kërcënimeve me të cilat (SMM) dhe civilë të tjerë vazhdojnë të përballen në Ukrainën Lindore”, tha ai.

/m.m/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.