Kosovë/ 39 raste të reja me COVID-19, 26 prej të cilave në Pejë

PRISHTINË, 23 prill /ATSH/ 39 raste të reja me COVID-19 janë shënuar ditën e sotme në Kosovë, njofton Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Me këto raste të reja shkon në 669 numri i të infektuarve me Sars-Cov-2. Gjatë ditës së sotme u regjistruan edhe 21 të shëruar, duke e çuar në 159 numrin total të të shëruarve. Po sot u shënua edhe një humbje jete, duke e çuar në 19 numrin e jetëve të humbura nga COVID-19, pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha.

Numri i madh i rasteve të konfirmuara sot në Pejë janë si pasojë e pjesëmarrjes në një ceremonial mortor më datë 6 prill 2020, përkundër masave të ndalimit të grumbullimit në masë të qytetarëve. Si pasojë e këtij veprimi deri tani janë diagnostikuar 36 raste pozitive me COVID-19.

Sipas IKSHPK-së sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 255 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e nëntë (39) raste.

Rastet pozitive janë raste kontakti, njëzet e gjashtë (26) raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: pesëmbëdhjetë (15) raste Katund i ri dhe njëmbëdhjetë (11) raste Pejë), nëntë (9) raste me vendbanim në Prizren, dy (2) raste me vendbanim në Mitrovicën e Veriut dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Kërninë-Istog dhe Zveçan.

Më datë 23 prill 2020, nga Klinika Infektive është raportuar një (1) rast vdekjeje, i gjinisë mashkull me moshë 53 vjeç me vendbanim në Prizren dhe i konfirmuar me COVID-19 më datë 10.04.2020. Pacienti është hospitalizuar në Klinikën Infektive me datë 13.04.20 në gjendje të rënduar dhe në përkujdesje Intensive. Tek i sëmuri gjatë ecurisë së sëmundjes janë zhvilluar ndërlikime si pasojë e COVID-19.

Sot më 23 prill 2020, janë shëruar edhe njëzet e një (21) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej njëqind e pesëdhjetë e nëntë (159) raste.

Nga data 08 shkurt deri më 23 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.627 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej gjashtëqind e gjashtëdhjetë e nëntë (669) raste, ndërsa gjithsej nëntëmbëdhjetë (19) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrur të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i detyruar të vetizolohen dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptoma të koronavirusit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.