COVID-19/ Ambasada e SHBA: Pezullohen shërbimet rutinë të vizave

TIRANË, 23 prill/ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ofron vetëm shërbime në raste emergjencash.

Në përgjigje të sfidave mbarë botërore lidhur me pandeminë COVID-19, Departamenti i Shtetit pezulloi shërbimet rutinë të vizave në të gjitha Ambasadat dhe Konsullatat Amerikane duke filluar nga data 20 mars 2020, thekson ambasada e SHBA në Tiranë.

“Ambasadat dhe Konsullatat kanë anuluar të gjitha takimet rutinë të vizave dhe shërbimeve për qytetarët amerikanë”, shton Ambasada amerikane.

Sa i përket informacionit mbi vizat, Ambasada e SHBA thekson se, për të kërkuar një takim emergjent për vizë joimigruese, ju lutemi përdorni llogarinë tuaj në: https://ais.usvisa-info.com/sq-al/niv

Qëllimi i udhëtimit tuaj dhe të tjera fakte do të përcaktojnë llojin e vizës që ju duhet sipas ligjit amerikan për emigrimin. Si aplikues për vizë, ju duhet të përcaktoni nëse i përmbushni të gjitha kriteret e kërkuara për të marrë kategorinë e vizës për të cilën po aplikoni.

Lista e Kategorive të Vizave gjendet në faqen usvisas.state.gov, për të përcaktuar se cila kategori vize është më e përshtatshme me qëllimin e vizitës tuaj në Shtetet e Bashkuara.

Sa i përket informacionit mbi shërbimet për qytetarët amerikanë, ambasada thekson se, “qytetarët amerikanë në rast se kanë ndonjë emergjencë pas orarit të punës që përfshin një qytetar Amerikan, të telefonojnë Ambasadën në numrin +355-(0)-4224-7285 deri në 89, dhe kërkojnë të flasin me zyrtarin në detyrë (duty officer). Shërbimet emergjente përfshijnë: Humbja e pasaportës Amerikane, Arrestimi/Burgosja e një qytetari Amerikan, Sëmundje Serioze për Jetën e një qytetari Amerikan, Rrëmbimi i fëmijës nga prindi tjetër, apo Vdekja e një qytetari Amerikan. Vini re se stafi i shërbimeve të qytetarëve Amerikanë nuk mund të përgjigjet pyetjeve apo ankesave mbi vizat”.

“Për t’ju ndihmuar sa më mirë, ne ofrojmë shërbime të tilla si rinovime pasaportash, raportime lindjesh, dhe noterizime vetëm me takime te caktuara paraprakisht në internet.  Ju mund të gjeni shërbimin që dëshironi në të majtë të kësaj faqe dhe lexoni udhëzimet se si të caktoni një takim me zyrën tonë”, thekson Ambasada e SHBA.

/gj.mima/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.