Vlorë/ Bashkëpunimi me qytetarët çon në pranga 36-vjeçarin e shpallur në kërkim

TIRANË, 22 prill/ ATSH- A. Fortuzi/-  Policia e Vlorës falë bashkëpunimit me qytetarët ka ndaluar një 36-vjeçar të shpallur në kërkim.

Sipas policisë së Vlorës, është finalizuar operacioni i koduar “Bashkëpunimi”, ku falë bashkëpunimit me qytetarët vihet në pranga 36-vjeçari i kërkuar për ngjarjen e 8 prillit 2020.

“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës intensive për kapjen e personave në kërkim, falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, kanë organizuar punën, duke finalizuar me sukses operacionin “Bashkëpunimi”, për kapjen dhe ndalimit e shtetasit: E. Sh., 36 vjeç, banues në Radhimë, Vlorë”,- njofton Policia.

“Ky shtetas dyshohet të jetë një nga autorët e implikuar në ngjarjen e ndodhur më 8 prill, në aksin rrugor Radhimë-Orikum, ku në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka plagosur lehtë me armë zjarri shtetasin D. K.”,- vijon njoftimi.

“Këtij shtetasi, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme”,- përfundon njoftimin Policia. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.