Tropojë, vijon vendosja e radhëve për distancimin social në tregje dhe institucione publike

TIRANË, 22 prill /ATSH – I. Vata/ Bashkia e Tropojës vazhdon të marrë masa për distancimin social të qytetarëve në pikat e tregut dhe institucioneve publike tani në fazën e dytë të lëshimit të masave për hapje.

Kryetari i bashkisë Tropojë, Rexh Byberi tha se po zbatohen me rigorozitet masat për parandalimin e COVID-19, tani që po merren masa për hapje graduale.

“Por përsëris lutjen time që t’i përmbahemi akoma me rigorozitet protokolleve të specialistëve të shprehura në vendimet e Qeverise për distancimin social dhe kujdes të shtuar. Masat graduale për hapje të disa shërbimeve bazike si dhe lëvizjet e detyruara për punë nuk duhet të keqkuptohen por përkundrazi të jemi akoma me korrekt”, tha ai.

Po ashtu, Byberi tha se “punonjësit e bashkisë Tropojë në të gjithë objektet e shërbimeve dhe të vend grumbullimeve për arsye pune kanë vendosur radhët e distancimit të cilat janë pjesë e garancisë për vetëmbrojtje ndaj duhet të respektohen me rigorozitet”.

“E kam shprehur në vazhdimësi falenderimin për mirëkuptimin që kemi gjetur gjatë 41  ditëve të karantinimit ndaj nuk duhet ta sosim durimin deri në fund”, tha ai. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.