TEKNOLOGJI – “Google Shopping” falas për tregtarët

SAN FRANÇISKO, 22 prill /ATSH-AFP/ – Google do të propozojë për tregtarët të përdorin falas shërbimin e blerjeve në internet, në konkurrencë të drejtpërdrejtë me Amazon në fushën e reklamave.

Gjiganti i kërkimit në internet njoftoi se shitësit amerikanë mund të shpërndajnë produktet e tyre falas në platformë deri në fund të muajit prill dhe synon ta përgjithësojë këtë ofertë për tregtarët në pjesën tjetër të botës deri në fund të vitit.

Përdorimi i “Google Shopping” ishte rezervuar më parë për kompanitë që paguanin për promovimin e mallrave të tyre nëpërmjet reklamave në motorin e kërkimit.

“Konsumatorët po bëjnë gjithnjë e më shumë blerjet e tyre në internet, jo vetëm për produktet thelbësore, por edhe për lodra, veshje, pajisje. Për bizneset në vështirësi, kjo përbën një mundësi për t’u ribashkuar me klientët e tyre, por shumë nuk mund ta përballojë atë financiarisht”, theksoi Bill Ready, drejtor i tregtisë në Google, në një deklaratë në internet.

Mbyllja e dyqaneve për shkak të pandemisë ka përshpejtuar këtë vendim të Google.

Grupi synon të bashkëpunojë me shërbimin e pagesave PayPal, për lehtësimin e transaksioneve në platformën e tij./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.