Mjeku infeksionist, Kalo: Ulje të rasteve me COVID-19, por kemi ende shumë rrugë

TIRANË, 22 prill/ATSH/ “Tuneli ka dritë në fund të tij, por kemi ende shumë rrugë për të bërë në të, ndërkohë që mësojmë edhe më shumë për këtë “flamë mbarëbotërore”, si dhe gradualisht i rikthehemi jetës socio-ekonomike me mësimet e nxjerra nga karantinimi disa javorë”.

Kështu u shpreh mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo, i cili thekson se “hapja graduale bazuar në stabilizimin e rasteve, uljen e shtrimeve në spital dhe në repartet e terapisë intensive në strukturat Covid-1 dhe Covid-2, shoqërohet edhe me brengën e mos rishtimit të këtyre rasteve, nisur nga mos-vetëndërgjegjësimi i një pjese jo të neglizhueshme të popullatës, ose ajo që njihet si “valë e dytë e infeksionit COVID-19”.

“Rastet me COVID-19 ka gjasë të ulen gradualisht, bazuar edhe në rritjen e imunizimit të popullatës ndaj tij, por në mungesë të një profilaksie specifike vaksinale, Sars-Cov2 mundet edhe të bëhet pjesë e panelit të viruseve shkaktuese të infeksioneve respiratore, sikundër janë bërë me kohë edhe virusi H3N2 (shkaktari i Pandemisë së Gripit të 1968) apo H1N1 (shkaktari i pandemisë së gripit të derrit të 2009)”, nënvizoi Kalo

Sipas tij, është kjo arsyeja që përkon me idenë e rikthimit të tij, së bashku me këto viruse dhe viruseve të tjera shkaktarë të virozave respiratore stinore, në mesin e të cilave ka edhe coronaviruse të tjerë, por jo Beta-coronaviruse si Sars-Cov2/Covid-19.

Mjeku Kalo i bën apel të gjithë qytetarëve që të bëjnë kujdes dhe të respektojnë distancimin fizik.

“Kujdes me higjienën individual dhe atë kolektive si dhe vetëndërgjegjësohu për gëzimin e jetës tënde, por edhe në respektimin e jetës së tjetrit që gjallon pranë teje, bashkë me siguri do t’ia dalim”, – tha Kalo./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.